Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije ditën e sotme se bonusi i bebeve do të jepet gjatë vitit të ri njësoj siç u dha për 42.060 fëmijë gjatë vitit 2022.
Në postimin e bërë në facebook, ku ka publikuar fotot nga bebet e para të ardhura në jetë për këtë vit, Rama shkruan se program do të vazhdojë të jetë i njëjtë ndërsa zbulon se bonusi i bebeve është dhënë për 11 fëmijët e parë që erdhën në jetë në hyrje të vitit të ri.
“Gëzuar! Me bonusin e bebes për 11 fëmijët e parë që erdhën në jetë në ditën e parë të Vitit të Ri, ashtu sikurse u mbështeten 42,060 fëmijë gjatë vitit 2022 e do të vijojnë të mbështeten me këtë program, ju uroj një vit të mbarë e të shëndetshëm”- shkruan Rama.
Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik.
Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend dhe përfitohet në dy pjesë nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë.
Për fëmijët që lindin në spitale private, apo jashtë vendit, çeku i bebes lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile.
Prindërve u jepet një çek 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë e më tej.