Bordi i Transparencës ka ndryshuar ditën e sotme sërish çmimet e tregtimit të karburanteve në vend. Sipas njoftimit zyrtar, prej ditës së sotme nafta do të shitet 197 lekë për litër, benzina 189 lekë dhe 69 lekë gazi.
Referuar me vendimin e mëparshëm, Bordi i Transparencës ka ulur vetëm me 3 pikë naftën, nga 200 në 197, po ashtu është ulur me 1 pikë benzinën, nga 190 në 189, ndërsa çmimi i gazit nuk ka pësuar ndryshim.
Vendim i Bordit të Transparencës- 02.02.2023
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 2 Shkurt 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 01.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 858, -8 nga data 30.01.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 861, -30 nga data 30.01.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje të lehtë në 107.36 (+ 0.09 nga data 30.01.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 103 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 2 Shkurt, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.