Bordi i Transparencës vendos çmimet për produktet e shportës, sa do shiten produktet bazë

Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja tavan për produktet bazë ushqimore. Mer anë të një njoftimi bëhet me dije se 1 kilogram oriz kokërrgjatë do të shitet me çmimin 109 lekë. 1 kilogram sheqer do të shitet me çmim 121 lekë, vaji luledielli do të shitet me çmimin 381 lekë për litër, ndërsa mielli masiv do të shitet me çmim tavan prej 79 lekë për kilogram.

Njoftimi:

Vendimi i Bordit të Transparencës së produkteve të shportës datë 29.4.2022. Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 29 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:
Miell
Vaj luledielli
Sheqer
Oriz kokërrgjatë
Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.
Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.
Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 11.7 % mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 3.8 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.8 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.3 % mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 12 lekë/kg.
c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 10.3 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.6 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.
Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33.9 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 19 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 5.3 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:
109 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)
121 lekë/kg për sheqerin (1 kg)
381 lekë/litër për vajin e lulediellit
79 lekë/kg për miellin masiv

Ky vendim hyn në fuqi në datë 30.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *