Bota e muzikës në zi, Beyonce për Tina Turner: Mishërim i pasionit dhe fuqisë

Yjet e muzikës, të famshëm, politikanë dhe fansa kanë nderuar në homazhe mbretëreshën e Rock and Rollit, Tina Turner. Beyoncé tha se ajo ishte “mishërimi i pasionit dhe fuqisë”, ndërsa Sir Mick Jagger e quajti atë një “shoqe të mrekullueshme” dhe interpretuese “jashtëzakonisht të talentuar”.

Turner u vlerësua gjithashtu nga Mariah Carey dhe Oprah Winfrey si një “e mbijetuar” që kapërceu vitet e abuzimit në familje. Joe Biden, veçoi se Turner e kishte filluar jetën si bijë fermeri dhe përgëzoi “talentin e saj”. Këngëtarja u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare të mërkurën në shtëpinë e saj në Zyrih të Zvicrës.

“Me muzikën dhe pasionin e saj të pakufishëm për jetën, ajo magjepsi miliona fansa në mbarë botën dhe frymëzoi yjet e së nesërmes. Sot i themi lamtumirë një shoqeje të dashur që na lë të gjithëve veprën e saj më të madhe: muzikën e saj. Gjithë dhembshuria jonë e përzemërt shkon për familjen e saj. Tina, do të na mungosh shumë”, thuhet në një deklaratë në faqen e saj të verifikuar në Facebook.

Nuk u dha asnjë shkak, por vitet e fundit diva e muzikës kishte vuajtur një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë një goditje në tru dhe sëmundje të veshkave.

E njohur si Mbretëresha e Rock and Roll-it, Turner ishte kengëtarja që ndizte skenat më të mëdha të botës, një nga vokalistet e paharruara të brezit të saj. Filloi karrierën në vitet 1950 dhe fitoi famë me Ike Turner Revue, përpara se të rishfaqej si një yll solo në vitet 1980.

Këngëtarja amerikane Gloria Gaynor tha se Turner “hapi rrugën për kaq shumë gra në muzikën rock”. “Ajo bëri me shumë dinjitet dhe sukses atë që shumë pak do të kishin guxuar ta bënin në kohën e saj dhe në atë zhanër të muzikës”,- tha ajo.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *