Botërori humbet shkëlqimin, sulmuesi i Bajernit të Mynihut nuk do të jetë në Katar

Sulmuesi i Senegalit, Sadio Mane, nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës për shkak të një dëmtimi në këmbë që pësoi teksa luante për Bajernin e Mynihut.

Lajmi është konfirmuar nga vetë përfaqësuesja senegaleze e futbollit me anë të një deklarate për shtyp. 30-vjeçari pësoi një dëmtim në fibulën e djathtë në fitoren 6-1 të kampionëve të Bundesligës ndaj Verder Bremenit të martën e kaluar.

Pavarësisht dëmtimit, Mane u emërua në skuadrën prej 26 lojtarësh të Senegalit për Kupën e Botës, por tashmë ka ardhur edhe konfirmimi që ish-sulmuesi i Liverpulit nuk do të luajë në Katar teksa do t’i nënshtrohet operacionit.

Njoftimi:

“Meqenëse dëmtimi ndodhi më 8 nëntor, ne kontaktuam Bajernin e Mynihut për të marrë informacionin e parë. Të nesërmen, klubi na dërgoi imazhet e para të MRI që ai kishte pësuar, ku tregohej një dëmtim në gjurin e tij të djathtë (.. .) U konkludua që të bëhej një tjetër MRI sot (e enjte) për të kontrolluar progresin dhe nëse ishte e mundur që Sadio Mane të mbante vendin e tij në këtë Kupë Bote. Fatkeqësisht, MRI tregon se progresi nuk është aq i favorshëm sa kishim imagjinuar dhe duhet të deklarojmë tërheqjen e Sadios nga Kupa e Botës. Duhet të planifikohet një operacion kirurgjik shumë shpejt”, tha kreu i stafit mjekësor.

Pas paraqitjes në Kupën e Botës 2018 në Rusi, Sadio Mane po përgatitej të merrte pjesë në Botërorin e dytë të karrierës së tij dhe tifozët e Senegalit i varën shpresat e tyre për një fushatë të suksesshme në Katar. Ai është kapiten i ekipit dhe shënoi penalltinë vendimtare në ndeshjen e dytë të play-off-it të Kupës së Botës kundër Egjiptit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *