Braçe proteston bashkë me fermerët, thirrje qeverisë: Merrni masa

Pasi i kritikoi qeverinë në Parlament, deputeti Erion Braçe, ka dalë në terren dhe ka protestuar bashkë me fermerët gjatë ditës së sotme. Braçe tha për mediat se fermerët janë lënë në harresë dhe për këtë dha një shembull, 100 hektarët me shalqi. Braçe tha se nëse  nuk merren masa i gjithë prodhimi fermerëve do të iu shkojë dëm.

“Vetëm në fshatin Çermë e Sipërme janë mbi 100 hektarë shalqi që kane arritur pjekjen teknike dhe nëse nuk evadohet brenda një afati 15 ditor prodhimi kalon në tejpjekje dhe në këto kushte fermerët nuk do të shesin dot asnjë kilogram ashtu si vitin e kaluar në disa zona të Lushnjës”, tha Braçe.

Ndërsa fermerët pretendojnë se çmimet i parapërcaktojnë pikat e grumbullimit ku thithja e prodhimit aktualisht po bëhet selektive dhe sipas interesave të grumbulluesve të cilët ushtrojnë presion ndaj fermerëve deri në momentin që ta blejnë sa më lirë për të rritur fitimet.

Braçe për këtë pretendim të fermerëve, theksoi se Ministria e Financave duhet të dalë dhe të ushtrojë kontrolle sepse po abuzohet hapur nga tregtarët e mëdhenj dhe fermerët nuk po shesin dot as sa për të mbajtur frymën gjallë dhe për të mbjellë vitin e ardhshëm.

“Kur këta ngrinin zërin, se kontrolloni çmimin e plehrave kimike pasi zë gati 60% të kostos së grurit, askush nuk e vrau mendjen. Janë të njëjtët njerëz që edhe i kanë shitur plehrat shtrenjtë edhe duan ta marrin produktin shumë lirë. Sa kemi qenë ne këtu kanë kaluar 30-40 trajlera, pra kërkesë ka, por si shpjegohet që bie çmimi. Problemi është se zhytet një ekonomi e tërë. Nëse falimenton kjo ekonomi bujqësore ka falimentuar ekonomia bujqësore e gjithë vendit. Shteti duhet të thotë stop këtu me pikat e grumbullimit me kapacitete magazinuese private. Shteti duhet të ndërtojë magazina dhe frigoriferë publik. Kështu fermeri çon mallin atje kur ka çmim të lartë”, u shpreh Braçe.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *