Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro , ka dënuar sulmin ndaj godinave të pushtetit në Brasilia të kryer nga mbështetësit e tij. “Demonstratat paqësore, sipas ligjit, janë pjesë e demokracisë. Plaçkitjet dhe pushtimet e ndërtesave publike si sot, si dhe ato të praktikuara nga e majta në 2013 dhe 2017, janë të paligjshme,” shkroi Bolsonaro në Twitter.
– “Gjatë gjithë mandatit tim – shtoi Bolsonaro – kam qenë gjithmonë brenda perimetrit të Kushtetutës, duke respektuar dhe mbrojtur ligjet, demokracinë, transparencën dhe lirinë tonë të shenjtë”. “Për më tepër, unë hedh poshtë akuzat, pa prova, që më atribuohen nga kreu aktual i ekzekutivit të Brazilit”, nënvizoi më pas ish-presidenti i Brazilit duke iu referuar komenteve të Luiz Inacio Lula da Silva për sulmin. Lula, i cili i përcaktoi sulmuesit si “fanatikë fashistë”, në fakt e ka identifikuar origjinën e sulmit në disa nga qëndrimet dhe fjalimet e Bolsonaro, dhe veçanërisht në refuzimin e tij për të pranuar humbjen në zgjedhjet e fundit presidenciale.
– Pak më shumë se dy vjet pasi mbështetësit e Donald Trump sulmuan Kongresin amerikan, qindra mbështetës të ish-kreut të shtetit Jair Bolsonaro sulmuan tre pallatet kryesore të pushtetit të Brazilit: Parlamentin, Gjykatën e Lartë dhe vetë pallatin Planalto, i cili strehon zyrat e presidentit. Një tentativë grusht shteti nga ultra e djathtë që e futi Brasilin në kaos për disa orë, përpara se Presidenti Lula të dekretonte ndërhyrjen federale në qarkun e kryeqytetit dhe policia të rifitonte kontrollin e tre ndërtesave.
– Ndërsa mbështetësit e Jair Bolsonaro sulmuan pallatet e pushtetit të Brazilit për të protestuar ndaj presidencës së Lulës, ish-presidenti ultra-konservator është mijëra milje larg, në Shtetet e Bashkuara, në Orlando, Florida, ku ai fluturoi në fund të dhjetorit me synimin për të qëndruar atje për të paktën një muaj, duke u bërë kështu “fqinjti” i Donald Trump.