Vetëm 15% e aksionerëve më të rinj të 130 bizneseve më të mëdha me kapital shqiptar në vend janë më të rinj sesa 42 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre i kanë aksionet e trashëguara nga prindërit. Pse mungojnë sipërmarrësit e rinj në Shqipëri? Përgjigjja është te modeli ekonomik i vendit. Si po e gjejnë të rinjtë rrugëzgjidhjen tek emigracioni. Emigrojnë edhe bizneset inovative!
Mark Zuckerberg, themeluesi i “Facebook”, tashmë i quajtur “Meta”, u bë miliarderi më i ri në botë i vetëkrijuar në moshën 23-vjeçare. Evan Spiegel, CEO i kompanisë së medias sociale Snap, ishte miliarder pa mbushur të 30-at.
Sara Blakely, sipërmarrëse amerikane, themeluese e Spanx, me veshje të brendshme, hyri në klubin e milionerëve në moshën 29 vjeçe. Bota njeh pa fund raste kur të rinj të talentuar, nëpërmjet risive në teknologji, apo një modeli të veçantë biznesi, kanë arritur të thyejnë shumë barriera.
Por, në Shqipëri, të fillosh një biznes në moshë të re, të arrish që të rritesh brenda një kohe të shkurtër, të qarkullosh e fitosh miliona, duke konkurruar me më të mëdhenjtë, është një mision pothuajse i pamundur.
Vetëm 7 kompani shqiptare, nga më të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor, kishin të paktën një aksioner më të ri sesa 32 vjeç (të lindur pas vitit 1990) sipas një kërkimi të “Monitor” në listën e 200 sipërmarrësve më të mëdhenj.
Këta përbëjnë vetëm 6% të totalit të 130 sipërmarrjeve të marra në analizë, duke përjashtuar bizneset me kapital të huaj, bankat dhe shoqëritë e sigurimit.
Më të rinjtë janë të moshës 25 vjeç. Por, të gjithë këta të rinj rezultojnë, sipas dokumenteve zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) se i kanë përfituar këto aksione si trashëgimi nga prindërit, ose për shkak të lidhjeve familjare, apo të biznesit që mund të kenë pasur me kompani të tjera.
As grupmosha nga 32-42 vjeç nuk ka arritur të shkëlqejë në biznes, me vetëm 12 ndërmarrje, ose 9% e VIP-ave. Por, ndryshe nga më të rinjtë, pjesa më e madhe ia kanë dalë që të ecin me forcat e veta. Vetëm 16% e tyre kanë përfituar aksione, për shkak të trashëgimisë apo lidhjeve familjare.
Aksionerët e moshës nën 42 vjeç, që kanë aksione në kompanitë më të mëdha me kapital shqiptar në vend, përbëjnë vetëm 15% të totalit të VIP-ave. 26% janë të grupmoshës 43 deri në 52 vjeç. Mbizotërues tek VIP-at është mosha 53 vjeç e lart (të lindur përpara vitit 1970), që zë gati 60% të totalit të aksionerëve të kompanive VIP.
Janë të shumta arsyet e mungesës së të rinjve në pjesëmarrjen me aksione në kompanitë më të mëdha në vend:
-Së pari, në vitet e para të tranzicionit, ishte shumë më e lehtë të filloje një biznes, me tregun që ishte i uritur për pothuajse gjithçka. Shumë të rinj, apo dhe individë të cilët në atë kohë mbetën të papunë nga ndryshimet strukturore të ekonomisë, kishin nuhatje dhe guxim, ose kishin punuar në ndërmarrjet e atëhershme shtetërore, gjetën si alternativë të merreshin kryesisht me tregti.
Disa dështuan, të tjerë arritën të rriteshin me shpejtësi dhe të diversifikoheshin në sektorë të ndryshëm, duke krijuar tashmë konglomeratë që është e vështirë t’i konkurrosh. Këto sipërmarrje janë kryesisht familjare dhe kanë shënuar pak ndryshime në strukturën aksionere, duke vijuar të drejtohen nga themeluesit fillestarë. As shitblerjet jashtë lidhjeve familjare nuk janë një praktikë shumë e përdorur, sipas të dhënave historike që “Monitor” ka krijuar në vite.
-Së dyti, modeli ekonomik i vendit nuk ka shënuar shumë ndryshime dekadat e fundit. Sipërmarrjet tregtare vijojnë të mbizotërojnë, ka pak hyrje të bizneseve të udhëhequra nga teknologjia. Në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha për nga qarkullimi vjetor, mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal.
Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës.
Ndryshe nga rajoni, ku kryesojnë kompanitë prodhuese, kryesisht mbështetëse të industrisë automotive dhe po zhvillohet teknologjia e informacionit, Shqipëria nuk po njeh hyrje të tilla në listën e më të mëdhenjve. 3 kompani ndër 10 më të mëdhatë në renditjen e “Monitor 200” për vitin 2019 ishin në fushën e tregtimit me shumicë e pakicë të karburanteve!
-Së treti, mjedisi për t’u rritur dhe për të bërë biznes nuk ka qenë aq i favorshëm, sidomos në dekadën e fundit, duke mos nxitur sipërmarrjen e lirë, konkurrencën e drejtë dhe inovacionin. Përkundrazi, lidhjet klienteliste dhe praktikat korruptive janë faktorë shumë më të rëndësishëm në probabilitetin për të pasur sukses në një biznes. Shpesh aftësitë menaxhuese, si një faktor për rritjen, zhvlerësohen përballë lidhjeve me pushtetin.
Nga renditja e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave, që “Monitor” i publikon çdo vit, rezulton se bizneset të cilat kanë lulëzuar vitet e fundit janë sipërmarrjet e ndërtimit dhe koncesionet. Ndërtimi rezulton sektori që po tërheq paratë e lira, për shkak të normave të larta të fitimit, kërkesës së fryrë nga burimet e tjera dhe lehtësisë për të kanalizuar fondet informale.
Koncesionet, nga ana tjetër, po kthehen në biznesin më të sigurt dhe po zënë gjithnjë e më shumë vend ndër më të mëdhenjtë, për shkak të biznesit të sigurt e të garantuar. Kjo siguri është vetëm për sipërmarrësit dhe aspak për buxhetin apo taksapaguesit.
Një analizë e Ministrisë së Financave për koncesionet (Partneritetet Publike-Private – PPP) në fund të 2019-s gjeti se, në pjesën më të madhe të tyre, riskun financiar e kishte marrë përsipër shteti.
-Së katërti, stanjacioni po kthehet në një problem më vete për ekonominë e vendit. Edhe në vite të mbara, vendi nuk po arrin të zgjerohet më shumë se 3-4% (përveç 2020 dhe 2021 që ishin jo normalë për shkak të efekteve të pandemisë), e pamjaftueshme për të ashtuquajturin proces të konvergjencës, ku duhet një rritje më e shpejtë për të kapur, brenda një periudhe kohe, mesataren e Bashkimit Europian (sot Shqipëria është ndër vendet më të varfra në Europë, me vetëm 31% të të ardhurave për frymë të mesatares së BE-së).
Një mjedis i tillë pa rritje dhe me fuqi blerëse të dobët, i ndikuar nga të ardhurat e ulëta, nuk krijon shumë potencial për biznese të reja për diversifikim dhe për rritje.
-Së pesti, politikat zhvilluese të qeverisë nuk kanë qenë të orientuara nga inovacioni, nxitja e sipërmarrësve të rinj. Një ligj për startup-et sapo është miratuar, ndryshe nga shumë vende të tjera që e kanë nxitur prej kohësh këtë segment.
-Së gjashti, konkurrueshmëria e ulët e vendit nuk ndihmon në rritjen e brendshme, zgjerimin e tregjeve përmes eksportit dhe as në hyrjen e sipërmarrësve të rinj. Sipas Forumit Ekonomik Global, në vitin 2019 (i fundit kur është publikuar renditja), Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë dhe e 81-ta në botë.
Më keq, vendi ynë paraqitet në kulturën sipërmarrëse, ndërveprimi dhe diversiteti, aftësitë inovative, kërkim-zhvillimi, shpikjet, marrja përsipër e rrezikut sipërmarrës, gatishmëria për të deleguar autoritetin, dëshira për të marrë përsipër ide të rrezikshme biznesi, apo rritja e kompanive inovative.
Këto elemente shërbejnë si frenues, ndonëse vendi paraqitet mirë në kërkesat administrative për të nisur një biznes, që ka renditjen më të mirë nga të gjithë indikatorët.
Në afatin e gjatë, mungesa e sipërmarrjeve të reja inovative pritet të thellojë dhe më shumë problemet strukturore të vendit, si nivelin e ulët të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, mungesën e vendeve të punës me vlerë të shtuar të lartë, duke demotivuar edhe më tej brezin e ri.
Metodologjia
“Monitor” ka përpunuar të dhënat e 200 kompanive me të ardhura më të mëdha në vend, sipas moshës së aksionerëve, duke evidentuar aksionerin me moshë më të re. Nga lista janë hequr kompanitë me kapital shtetëror, ato me aksionerë të huaj dhe bankat dhe në total janë përpunuar të dhënat për 130 sipërmarrje. Mosha e aksionerëve është marrë nga akti i themelimit të kompanisë, ose marrëveshjet e shitblerjes së aksioneve, që janë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndërsa lista e kompanive u referohet 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend të vitit 2020, të publikuara më herët në “Monitor”.
Aksionerët preferojnë të mos ua kalojnë fëmijëve bizneset që i kanë rritur vetë
Shumë prej aksionerëve kryesorë rezulton se preferojnë të vazhdojnë të ruajnë kontrollin e plotë mbi ndërmarrjet, apo grupet që ata kanë krijuar e rritur në vite.
“Kastrati”, grupi më i madh në vend, me një diversifikim të shpejtë vitet e fundit, vijon të zotërohet 100% nga themeluesi i tij, Shefqet Kastrati, ndonëse djali i tij është zv.president i grupit,
Luigj Aliaj, drejtues në grupin “Kastrati”, thotë se edhe në botë kjo është praktika që ndiqet. Prindërit nuk nxitojnë t’ua lënë aksionet fëmijëve të tyre, nga frika se mos nxisin parazitizmin tek ata dhe nuk i motivojnë në jetë që të ecin përpara.
Ndërsa në Shqipëri ka dhe një problem tjetër. Në përgjithësi, biznesi është familjar dhe ka filluar nga zero, por kontribut kanë dhënë dhe vëllezërit, kushërinjtë apo miqtë, ndonëse në letra, pronësia figuron vetëm në një person. Ndaj një kalim trashëgimie do të krijonte probleme dhe hatërmbetje mes disa personave që mund të kishin pretendime për të njëjtën pronësi.
Sa e vështirë është për një sipërmarrës të ri të rritet në tregun shqiptar
Në një vend ku mbizotërojnë xhaketat e vjetra, legjislacioni është i dobët që të funksionojë pa ndërhyrje, nuk ka maturi institucionale, ka ndryshime të shpeshta në administratë dhe burokracitë në administratë janë të shumta, është e vështirë që sipërmarrësit e rinj të ecin përpara.
Marin Gjonaj është një prej sipërmarrësve të pakët të brezit 1980-1989, i cili ka dy kompani në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend (INFO-Telecom dhe Enertrade). Gjonaj ka disa sipërmarrje në fusha të ndryshme, si telekomunikacion, real estate, BPO dhe tregtim i energjisë elektrike. Këto biznese sot janë nën ombrellën e Gjonaj Group Holdings.
Grupi Gjonaj ka sot 1000 punonjës në Shqipëri dhe 150 punonjës jashtë vendit, në Itali, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Rumani e Nju Jork në sektorin e telekomunikacioneve dhe të energjisë.
Info-Telecom, një nga kompanitë kryesore të Gjonaj Group, nuk është biznes lokal, por ndërkombëtar dhe ishte shtylla e parë e Holding-ut Gjonaj Group. “100% e klientëve dhe furnitorëve janë ndërkombëtarë në INFO-Telecom, parimisht një aktivitet të tillë mund ta bëjë kushdo dhe nga kudo për sa kohë që është biznes 100% ndërkombëtar” thotë ai.
Gjonaj ka zgjedhur që të jetojë e punojë në Shqipëri, ndaj dhe me kalimin e kohës u diversifikua më tej, me biznese që mund të ecin edhe në tregun lokal, në fushën e shërbimeve për të tretë përmes Promarketing dhe Digicom, pasurive të paluajtshme me Probroker, energjisë si ENERTRADE etj., duke i integruar si pjesë e Gjonaj Group.
INFO-Telecom po avancon në projektin për një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 50 MW, një investim me vlerë 36 milionë euro, e cila është ekskluzivisht për treg të lirë dhe nuk përbën koncesion. Këtë investim, Gjonaj po e bën në bashkëpunim me BERZH dhe bankat lokale në Shqipëri, dhe pritet që të komisionohet në vitin 2023.
Po, Gjonaj e pranon se është shumë vështirë të bësh biznes në Shqipëri. “Nëse do të isha në ambient të huaj, do kisha ecur shumë më tepër. Në vendet perëndimore ose në SHBA, rëndësia që merr çdo sipërmarrës në raport me mjedisin ku ai operon, matet me volumin e taksave që sipërmarrësi paguan e numrin e të punësuarve që ai sjell, e Shqipëria është pak mbrapa në këtë drejtim”, thotë ai.
Sipërmarrjet inovative po ikin jashtë
Të rinjtë ambiciozë nuk mungojnë, por duket se ata nuk po arrijnë të gjejnë terrenin për t’u rritur brenda vendit. “Ne tashmë po zhvillojmë sipërmarrje inovative, por jashtë territoreve shqiptare më së shumti dhe kjo është një shenjë e parë jo e mirë”, thotë Gerion Treska, mentor dhe këshilltar në “Yunus Business Balkan”.
“Të rinjtë kreativë do të ikin, do të dekurajohet proaktiviteti dhe për konsumatorët nuk do të jetë zgjidhja më e mirë, por do të marrin vetëm atë që u ofrohet”, thotë ai.
Nga ana tjetër nuk mundet që të reklamojmë vendin tonë kryesisht për pagat e ulëta, kjo strategji nuk na çon larg, megjithëse ka përfitime ekonomike në afatshkurtër”, pohon Treska.
Ai shton se “fakti që po zhvillojmë sipërmarrje inovative jashtë do të thotë që ekosistemi dhe ambienti këtu nuk është i shëndetshëm. Kryesisht jashtë ata mund të investojnë më thjesht, sepse legjislacioni është më i qartë, i lehtë, më transparent dhe më pak i ndryshueshëm.
Te ne, ndryshimet fiskale janë shumë të shpeshta, informaliteti është tepër i lartë. Për më tepër që startup-et kanë një faktor të lartë risku. Të gjitha këto e bëjnë të vështirë mjedisin për një investitor, nëse nuk kalon nga qeveria, ku aty është mesele më vete”.
Treska pohon se këto startup-e jashtë po shtojnë vlerë atje, jo këtu te ne. “Kodimi po promovohet te ne, sepse konsiderohemi low cost me pagat, jo se jemi të zgjuar. Është strategji fasone, që vlerën monetare e intelektuale nuk e mban në vend, por e çon jashtë”.
Zgjidhja e të rinjve tek emigracioni
Jo të gjithë mund të bëhen aksionerë të sipërmarrjeve të mëdha, apo milionerë që në moshë të re, sidomos në një treg, ku pengesat e dukshme dhe të padukshme për të hyrë, janë të mëdha dhe jo çdo gjë funksionon sipas rregullave të një ekonomie të konkurrencës së lirë.
Por, sa më shumë potenciale të ketë për të nisur një biznes, apo për të punuar në sipërmarrje me vlerë të shtuar të lartë e me paga të kënaqshme, aq më të prirë do të jenë të rinjtë të kërkojnë shanset e zhvillimit në vend.
Kjo nuk duket se po ndodh dhe të rinjtë nuk shfaqen të motivuar të tentojnë të ngrenë një sipërmarrje në Shqipëri, apo të marrin përsipër një ide të rrezikshme, apo potenciale biznesi.
Në kontrast, zhgënjimi i të rinjve është i madh për mungesën e perspektivës në vend dhe shfaqet dukshëm në ritmet e larta të emigracionit dhe ndryshimin e shpejtë të strukturës së popullsisë.
INSTAT raportoi së fundmi se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar rënie me 1,3%, krahasuar me 1 janar 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve.
Në total, në vend kishte 36 mijë banorë më pak në janar të vitit 2022, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Por, zhvillimi më shqetësues është fakti që në pjesën më të madhe të kësaj tkurrjeje ka ndikuar rënia e numrit të grupmoshës 20-24 vjeç, që është dhe pjesa më vitale dhe në moshë produktive e popullsisë. Kjo grupmoshë shënoi rënie me 15 mijë persona, duke ndikuar në gati gjysmën e tkurrjes së popullsisë totale të vendit.
Rënia në vlerë është gati tre herë më e lartë se grupmoshat e tjera, një faktor indirekt që efektin më të lartë nuk e kanë dhënë zhvillimet natyrore të popullsisë, por emigracioni.
Në krahasim me vitin 2001, grupmosha 20-24 vjeç ka rënë me gati 12%. Tkurrja më e lartë e popullsisë së të rinjve 20-24 vjeç ka nisur pas vitit 2015, në linjë me rikthimin e ciklit të emigracionit, që u reflektua në rritjen e kërkesave për azil.
Në vitin 2021, kjo grupmoshë përbënte 7.2% të totalit, nga 9% në vitin 2004. Rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë tek të rinjtë po ndikojnë në uljen e peshës së popullsisë në moshë të re dhe në kontrast po rritet ajo në moshë më e pjekur dhe e moshuar.
Të dhënat e INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se gjysma e popullsisë në moshë të re (0-39 vjeç) po tkurret me shpejtësi. Në të kundërt po rritet ajo mbi moshën 40 vjeç (shiko grafikun: Ecuria e popullsisë, sipas dy grupmoshave, 0-49 dhe mbi 40 vjeç)
Në fund të vitit 2021, popullsia deri në 39 vjeç zinte 52% të totalit, nga 68% në vitin 2001, duke u tkurrur me gati 16 pikë përqindje.
Ky ndryshim strukturor po sjell pasoja të shumta, që janë më të ndjeshme në dy drejtime kryesore:
-Së pari në produktivitetin e punës dhe disponueshmërinë e fuqisë punëtore. Shumë sipërmarrje ankohen sot se nuk po gjejnë fuqi punëtore, sidomos të rinj. Këta të fundit janë të prirur të ikin në emigracion.
-Së dyti, efekti në skemën e pensioneve, me më pak të rinj që do të kontribuojnë me sigurime, që përdoren për të paguar pensionet. Numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi, për shkak të plakjes së popullsisë. Në vitin 2021, sipas INSTAT, popullsia mbi 65 vjeç përbënte 15.7% të totalit, nga vetëm 7.4% në 2001, me pothuajse dyfishim të peshës.
Në një tregues të përkeqësuar, shkalla e papunësisë te të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç, shënoi rritje me gati 1 pikë përqindje në vitin 2021, duke arritur në 27.1%, nga 11.5% që është mesatarja kombëtare për popullsinë mbi 15 vjeç.
Nepotizmi mbizotëron në bizneset familjare
Ndarja e pronësisë nga menaxhimi është një mision i vështirë në një pjesë të sipërmarrjeve shqiptare. Nga ekstraktet e QKB-së rezulton se në shoqëritë aksioneve me kapital shqiptar, anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës përgjithësisht kanë mbiemra të njëjtë me ato të aksionerëve kryesorë.
Një studim i pak kohëve më parë i Instituti Agenda, gjeti se individët që mbajnë të njëjtin mbiemër në një firmë përbëjnë një ngjarje të zakonshme në Shqipëri.
Kjo prirje konsiderohet se krijon pengesa në praktikat e përzgjedhjes së forcës së punës drejtuese dhe jo drejtuese dhe ngre pikëpyetje serioze nëse praktikat e marrjes në punë në Shqipëri nxisin profesionalizimin apo favorizimin.
Studimi gjithashtu tregon se Shqipërisë i mungojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, të nevojshëm për zhvillimin e praktikave të mira të qeverisjes së korporatave, duke rezultuar në formimin e nepotizmit, si një strukturë kyçe apo thelbësore në kompanitë shqiptare.
Raporti konstaton se kompanitë shqiptare preferojnë të vendosin në nivele drejtuese, apo këshillat mbikëqyrës, të afërmit e ngushtë, e vërtetuar kjo me statistikat që tregojnë lidhjet familjare në pozicionet drejtuese apo këshillat mbikëqyrës.
Rreth 60% e kompanive shqiptare kanë të paktën dy individë me të njëjtin mbiemër, që punojnë në ekipin kryesor menaxhues, ndërsa i njëjti fenomen është i pranishëm vetëm në 10% të kompanive me pronësi të huaj.
Sipas studimit, Shqipëria ka një strukturë pronësie relativisht të përqendruar, në duart e një numri të vogël pronarësh, që në vendet në zhvillim ndikon pavarësinë e trupave administrativë dhe mbikëqyrës në qeverisje dhe menaxhim, shmang diversitetin e opinioneve dhe praktikat e shëndetshme të biznesit.
Megjithëse mund të ketë disa aspekte pozitive që ofrohen nga nepotizmi sa i përket besnikërisë, dëmi i praktikave të tilla negative i kalon ndjeshëm ato. Punonjësit me lidhje familjare mund të mos kenë përvojën për të bërë punën dhe madje mund të jenë tërësisht të paaftë dhe të papërshtatshëm. Ata mund të sjellin konfliktet familjare në punë dhe të shkatërrojnë komunikimin në ambientet e punës dhe në disa raste ekstreme, mund edhe të përdorin pozicionin e tyre për t’i shërbyer interesave të tyre në kurriz të atyre të kompanisë.
Nën ndikimin e nepotizmit, një biznes familjar preferon që të sigurojë anëtarët e familjes me punë të sigurt, të cilat nuk janë të mundura gjetkë, edhe pse anëtarët e familjes mund të mos jenë të kualifikuar për postin. Për shkak se bizneset familjare do të preferojnë të punësojnë të afërmit mbi profesionistë të jashtëm, numri i kandidatëve të pranueshëm për aksionerët kontrollues do të jetë shumë më i vogël se ai i tregjeve të punës.
Përveç kësaj, anëtarët e familjes janë shpesh shumë të përfshirë në menaxhimin e lartë të firmave kontrolluar prej tyre (familjes). Menaxherët ekzekutivë apo drejtorët e firmave të tilla ka gjithashtu më shumë gjasa që të jenë të afërmit e tyre, në vend të menaxherëve profesionalë.
Si rezultat, kur pozicionet për menaxherët e përgjithshëm apo drejtorët janë të kufizuara vetëm për anëtarët e familjes, kjo zgjedhje jooptimale ekspozon një firmë të kontrolluar prej familjes në rrezikun e ndërmarrjes së përzgjedhjes së projekteve të pafavorshme.
Nepotizmi zvogëlon efektivitetin e monitorimit dhe disiplinimin e personave të punësuar të familjes, nga ana tjetër, këta persona, shpërndajnë burimet e një firme nëpër projekte të paefektshme, pa qenë nën presionin e zëvendësimit (të vendit të punës)..MONITOR