Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka arritur të përcaktojë shkaqet e vdekjes së 37-vjeçarit shqiptar Briken Hoxha, i cili ndërroi jetë në një burg të Zvicrës në vitin 2021.
IML nisi punën për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të riut, pas kallëzimit të të atit të 37-vjeçarit, i cili kërkonte zbardhjen e të vërtetës.
“Kohë e gjatë nga vdekja, nuk mund të përcaktohet shkaku. Nuk konstatohen thyerje të kockave”, tha Instituti.
Të riut i kishin mbetur ndoshta më pak se 30 ditë për të përfunduar dënimin kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Sipas babait të 37 vjeçarit, përballja me trupin e të birit, do të ishte një tjetër tronditje e fortë për ta.
“Trupi ishte në gjendje të tmerrshme, i hapur dhe i çarë në të gjitha pjesët e tij. Gjë e cila na ngriti dyshime të forta mbi autopsinë e kryer. Autopsia ligjore e cila realizohet nga mjekët përkatës specialistë ka një protokoll të caktuar gjatë realizimit të saj, kjo në varësi të gjendjes së trupit. Në burgun ku djali im vuante dënimin ka një skedë të gjendjes fizike apo shëndetësore si për çdo të dënuar tjetër. Autopisa e realizuar ndaj djalit tim, hapja në të gjithë pjesët e trupit më bën të dyshoj fort se ekzaminimi i autopsisë është realizuar me qëllim krijimin e vështirësive për ekzaminime të tjera duke e dëmtuar trupin në atë gjendje”, ka deklaruar babai i Briken Hoxhës./News24