Gjykata e Sheffield Crown në Britani dëgjoi më 25 janar sesi Izmir Dragoti, 44 vjeç, u gjet nga policia me 140 bimë kanabisi dhe drogë me vlerë midis 50,000 dhe 129,800 £ në një shtëpi në rrugën Staniforth në Sheffield.
Dragoti dhe një burrë tjetër, i cili nuk është ndjekur penalisht, u arrestuan në një dhomë gjumi brenda banesës së përshtatur për rritjen e kanabisit.
Sakaq, Dragoti u deklarua fajtor për rritjen e drogës, ndërsa avokatja e tij tha se ai ka një grua dhe një djalë 10-vjeçar në Shqipëri të cilët sipas saj “po luftojnë për të mbijetuar”.
Ajo shtoi se Dragotit fillimisht iu ofrua një punë për të cilën ai besonte se do të ishte dekorim, por më pas atij i është bërë presion që të kujdesej për kanabisin, për të cilin as nuk mori pagesë megjithëse iu ofrua.
Gjithashtu avokatja e Dragotit tregoi se ky i fundit ka një motër të sëmurë me kancer në Shqipëri, të cilën ai kërkon ta shohë para se të vdesë, gjë që do t’i duhet të presë 1 vit pas dënimit të marrë nga gjykata.