Britani: Katër në dhjetë emigrantë që kalojnë Kanalin janë shqiptarë

Katër në dhjetë emigrantë që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë nga “Shqipëria paqësore, ku nuk ka pasur luftë për 25 vjet”.

Kështu shkruan një raport sekret i inteligjencës ushtarake britanike.

Lajmi u bë i ditur nga botimi “The Mail on Sunday”.

Dokumenti “i ndjeshëm” tregon se pothuajse tre herë më shumë emigrantë që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar nga Franca vijnë nga Shqipëria në krahasim me çdo vend tjetër.

Është hera e parë që një raport zyrtar ekspozon se si pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kalime të paligjshme duket se janë emigrantë ekonomikë që abuzojnë me sistemin bujar të azilit të Britanisë.

Raporti, i zbuluar ekskluzivisht nga “The Mail on Sunday”, pason një operacion survejimi nga Marina Mbretërore dhe ekspertët e inteligjencës së mbrojtjes të nëntë bandave kriminale që besohet se organizonin shumicën dërrmuese të kalimeve.

Një total prej 1 mijë e 75 shqiptarësh kaluan Kanalin me varka të vogla të organizuara nga bandat gjatë një periudhe gjashtë javore këtë verë.

Kjo është pothuajse dyzet për qind e atyre që u identifikuan se bënin kalimin e rrezikshëm.

Bandat po blejnë varka të mëdha në internet nga fabrikat kineze dhe po i transportojnë ato në Francën veriore.

Dy nga bandat – me emrin e koduar Dragon dhe Lotus – po i personalizojnë varkat duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha, në mënyrë që të mund të futen më shumë emigrantë në bord.

Analistët e inteligjencës ende nuk kanë një pasqyrë të plotë të aktiviteteve të bandave, sepse autoritetet franceze nuk po u tregojnë atyre se kur po ndalojnë me sukses përpjekjet për kalim.

Raporti i zbuluar vëren se nga 2 mijë e 863 emigrantë të transportuar nga nëntë bandat midis 1 qershorit dhe 12 korrikut, 1 mijë e 75 – ose 37.5 për qind – ishin shqiptarë.

Iranianët përbënin numrin e radhës më të lartë, me 373 emigrantë, ose 13 për qind të totalit.

Kishte 363 emigrantë nga Afganistani (12.7 përqind e totalit), 217 nga Iraku (7.6 përqind), 162 nga Siria (5.7 përqind) dhe 163 nga Eritrea (5.7 përqind)

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *