Shumë gra që punojnë për sindikatat më të mëdha të punëdhënësve në Britani, Konfederatën e Industrisë Britanike (CBI), pretendojnë se kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale dhe madje përdhunimeve nga drejtuesit e saj.
Zbulimet vijnë një muaj pas largimit të kryetarit të CBI, Tony Dunker, i cili u akuzua për sjellje të pahijshme që arrinte në “ngacmim seksual” në vendin e punës.
CBI ka nisur një hetim të brendshëm, të cilin e ka porositur një studio ligjore, për të shqyrtuar akuzat.
Sipas provave të reja të publikuara të cilat nuk përfshijnë Dunker, më shumë se një duzinë gra që punojnë ose kanë punuar në të kaluarën për CBI, thonë se ishin viktima të “formave të ndryshme të sjelljes së papërshtatshme seksuale nga oficerët” të konfederatës. Madje, njëra prej tyre tha se gjatë një feste u përdhunua në një varkë në Thames në vitin 2019, ndërsa një tjetër pretendoi se ishte sulmuar seksualisht në të njëjtën ngjarje.
Të tjerë folën për sjellje të papërshtatshme nga drejtuesit ndaj kolegëve të tyre më të rinj. Të gjithë denoncuan një klimë “mizogjiniste dhe toksike” brenda CBI.
CBI ka zgjeruar hetimin për të përfshirë akuzat e reja. “Nuk do të hezitojmë të marrim masat e nevojshme kur të përfundojë hetimi”, njoftoi konfederata./ The Guardian