Britania ka vendosur të dërgojë trupa në Qipro që të ndihmojë në evakuimin e shtetasve të saj të bllokuar në Liban. Kryeministri Keir Starmer bëri thirrje për zgjidhje diplomatike dhe armëpushim të menjëhershëm për të mos lejuar pëshkallëzim të mëtejshëm mes Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah.
Sulmet ajrore izraelite, shkaktuan së fudmi numrin më të madh të viktimave në Liban që nga fundi i luftës civile të viteve 1975-1990. Pas këtyre sulmeve, Kryeministri Starmer u bëri thirrje shtetasve britanikë të largohen ndërsa ka ende fluturime nga Libani.
“Është shumë e rëndësishme që ata të dëgjojnë mesazhin tim, që është të largohen menjëherë”, u tha ai gazetarëve.
Qeveria britanike tha në një deklaratë të martën në mbrëmje se 700 trupa do të udhëtojnë për në Qipro, duke forcuar praninë e saj në zonë. Britania tanimë ka dërguar atje dy anije të Marinës Mbretërore, avionë dhe helikopterë transporti.
Sulmet më të mëdha ajrore izraelite në gati dy dekada kundër grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani, kanë rritur frikën se konflikti 11 mujor në Gazë do të zgjerohet në një luftë më të gjerë që destabilizon tërë Lindjen e Mesme.
“Unë po u bëj thirrje të gjitha palëve që të mos e përshkallëzojnë situatën”, tha Kryeministri Starmer. “Ne kemi nevojë për një armëpushim në mënyrë që kjo situatë të mund të zgjidhet me diplomaci.” /REL