Britania e Madhe ka ndaluar përdorimin e aplikacionit ‘Tik Tok’ nga anëtarët e parlamentit dhe zyrtarët e qeverisë. I pyetur nga mediat kryeministri britanik Rishi Sunak tha se qeveria e tij e merr seriozisht sigurinë e pajisjes.
“Ne po shikojmë gjithashtu se çfarë po bëjnë aleatët tanë”, shtoi ai.
Sakaq, Shtëpia e Bardhë i ka vendosur një ultimatum aplikacionit: nëse TikTok mbetet në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, ai do të ndalohet në SHBA. Ky është zhvillimi më dramatik në një seri lëvizjesh të fundit nga zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët janë të shqetësuar se TikTok do t’i japë qeverisë kineze informacione rreth përdoruesve amerikanë të aplikacionit. Aplikacioni ka më shumë se 100 milionë përdorues në SHBA.
Është gjithashtu hera e parë që TikTok kërcënohet me ndalim në SHBA gjatë presidencës së Joe Biden. Ish-presidenti Donald Trump ishte përpjekur gjithashtu të ndalonte aplikacionin në vitin 2020, por masa e tij u bllokua nga gjykatat amerikane.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze ka deklaruar se Uashingtoni deri më tani nuk ka paraqitur prova që TikTok kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA.
“SHBA duhet të ndalojë përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me çështjet e sigurisë së të dhënave, të ndalojë sulmet e pajustifikuara (kundër TikTok) dhe të sigurojë një mjedis tregtar të hapur, të drejtë, të paanshëm dhe jo-diskriminues për kompanitë e huaja”, shtoi ai.