Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit, ndërsa ka paralajmëruar do të sjellë një valë të dytë shpalljesh “non grata”, ku subjekt pritet të jenë politikanë, biznesmenë dhe të gjithë ata që sipas Londrës, minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe jovetëm.
Pak kohë më parë u zbulua se përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, edhe disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e “listës së zezë” së Anglisë. Madje mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike, tashmë e kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “non grata”.
Ata akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, përfshirja në afera dhe blerje votash. Por nuk ndalet me kaq, pasi ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, ka bërë të ditur gjatë një interviste për “Top Channel” e shpalljet “non grata” do të vijnë deri në fund të vitit, por nuk do të jenë publike. “Mbretëria e Bashkuar është shumë e qartë. Ne duhet t’i japim fund mosndëshkueshmërisë, duhet të përmirësojmë llogaridhënien dhe kjo bëhet përmes një sërë mënyrash.
Institucionet këtu në Shqipëri duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’u kërkuar llogari personave këtu, por është absolutisht e drejtë që edhe Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera të thonë nëse ka individë të lidhur me kriminalitetin ose korrupsionin, se ata nuk të drejtën për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar ose për të mbajtur pasuritë e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo është arsyeja pse ju do të shihni sanksione të mëtejshme këtë vit”, deklaroi ai. Pra nisur nga kjo deklaratë e ambasadorit britanik, pritet të ketë sanksione të ashpra për të korruptuarit dhe familjarët e tyre në Shqipëri.
Reforma në drejtësi
Më tej gjatë fjalës së tij, ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith u ndal tek reforma në drejtësi, të cilën e përgëzoi, ndërkohë që premtoi mbështetjen e Londrës zyrtare për institucionet ligjzbatuese shqiptare. Megjithatë, diplomati King-Smith theksoi se ka ardhur koha që më ndihmën e partnerëve, edhe në Shqipëri të trokasë ora e pandëshkueshmërisë.
“Pra, ne pajtohemi që Reforma në Drejtësi është absolutisht thelbësore dhe në të vërtetë mendoj se ishte një nga gjërat më pozitive për vitin 2022. Megjithëse rezultatet e plota mund të mos jenë parë ende të plota, mënyra se si institucionet e pavarura, proceset e drejtësisë po evoluojnë është diçka vërtet pozitive për Shqipërinë. Kjo do të jetë vendimtare për të ardhmen, por unë mendoj se ne do ta shohim 2023-ën si vitin ku rezultatet do të fillojnë me të vërtetë të shihen.
Por siç thoni ju, ne si Mbretëri e Bashkuar, përveç se të mbështesim ato institucione të pavarura dhe proceset e drejtësisë, duam gjithashtu të promovojmë llogaridhënien. Sepse ajo që duhet të bëjmë së bashku është t’i japim fund mosndëshkueshmërisë”, u shpreh ai.
Zgjedhjet vendore të 14 majit
Por ndërsa jemi në një viti ku qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë, ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, ka bërë thirrje që zgjedhjet e 14 majit të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe të garojnë kandidatë të pastër, që nuk janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.
“Jam dakord që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, qofshin ato zgjedhje lokale, apo parlamentare, janë thelbësore. Por ju keni thënë se, sigurisht, Shqipëria është në një fazë tranzicioni demokratik dhe duhet të pranojmë se është ende në tranzicion. Pra, ka pasur progres, por është e qartë se duhet bërë më shumë. Ne jemi të vendosur si Mbretëri e Bashkuar, të mbështesim institucionet e zgjedhjeve, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u siguruar që proceset të jenë sa më efikase, por pastaj duhet të përdorim ndikimin që kem për t’u siguruar që partitë politike dhe çdo aktor tjetër ta dijë se çfarë pritet prej tyre.
Unë kam bërë një thirrje, si drejtpërdrejt drejtuesve të partive, ashtu edhe publikisht, për të thënë se gjatë zgjedhjeve lokale, por edhe më tej, duhet të përzgjidhen kandidatë të pastër, pa lidhje me kriminalitetin apo korrupsionin. Nëse filloni të keni përfaqësues më të mirë, të cilët nuk kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, kjo mund të sjellë një ndryshim për të ardhmen”, tha ai.
Më tej ambasadori Alastair King-Smith u dërgoi edhe një mesazh qytetarëve shqiptarë, të cilët do të shkojnë të votojnë më 14 maj. “Atëherë zgjedhësit duhet të votojë në mënyrën që ata mendojnë se përputhet më së miri me interesat e tyre dhe publiku i gjerë e di kur dikush është zgjedhur të kandidojë për shkak të interesave të ngushta, që do të veprojë pikërisht për këto interesa të ngushta dhe do të mbajë lidhjet me kriminalitetin ose do të përdorë praktika korruptive. Qytetarët duhet të jenë të qartë se cilët përfaqësues duan, atë që do t’i shërbejnë interesit të qytetarëve”, nënvizoi ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith./Sot