Britania e Madhe paralajmëroi ditën e sotme politikanët shqiptarë të lidhur me krimin dhe të korruptuar, ndërsa theksoi se “Këtë javë ne ndërmorëm veprime kundër disa individëve shqiptarë me lidhje të dokumentuara mirë me kriminalitetin dhe korrupsionin.
Kjo është vala e parë e një sërë veprimesh, që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh në dispozicion për të penguar individë me lidhje me krimin dhe korrupsionin, duke përfshirë emigracionin dhe përçarjen ekonomike”. Por, ndëshkimi ndaj politikanëve shqiptarë të të korruptuar e të lidhur me krimin ishte paralajmëruar disa muaj më parë nga ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman. Ish-ambasadori Norman paralajmëroi se “Londra do të vendosë sanksione ndaj politikanëve të korruptuar”.
“Ne po punojmë me autoritetet shqiptare, me median dhe shoqërinë civile. Po ka disa ngjashmëri me atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në fakt ne kemi një qasje më ndryshe. Ajo që ne duam të bëjmë është të jemi sa më shumë bashkëpunues, dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Ndoshta kemi edhe qëllime të ndryshme me atë që ka sistemi amerikan. Po ne kemi disa opsione për t’i përdorur, psh është ligji që ka lidhje me emigracionin, ekzistojnë procedura që i përjashton disa njerëz të futen në Mbretërinë e Bashkuar. Por kemi edhe mënyra të tjera që kanë të bëjnë me ngrirjen e aseteve për ata persona që mbajnë lidhje të tilla pra mes politikës dhe krimit të organizuar. Ne mund ta bëjmë këtë, por kjo do ishte vetëm një pjesë e historisë, ne duam atë pjesën me të madhe të historisë, ku të bëjmë ndryshime thelbësore”, tha ish-kryediplomati anglez në Tiranë.
I pyetur në lidhje me sanksionet dhe emrat konkretë, ai është shpreheur se “Jo nuk do të jap emra. Në fakt Mbretëria e Bashkuar operon ndryshe nga disa partnerë të saj, ne përpiqemi që aksionin ta mbajmë larg skenës, e kjo do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen. Por do të ketë aksion që ka për të ndodhur, në muajt në vijim do flasim pak më shumë për atë që ne po bëjmë, do zgjerojmë dhe procedurat tona”./bw