Aktori Arnold Schwarzenegger thotë se, liderët që pretendojnë se luftimi i ndryshimeve klimatike dëmton ekonominë janë “budallenj ose gënjeshtarë”.
Përpara samitit të klimës COP26, ish-Guvernatori i Kalifornisë, i tha BBC-së se, nga ulja e emetimeve të karbonit do të përfitojnë ekonomitë globale.
Aktori i Terminator tha se pakësimi i ngrënies së mishit nuk do të thotë të sakrifikosh diçka – por se pakësimi me vullnetin e vet e ka bërë atë të jetë më i shëndetshëm.
Ai sulmoi gjithashtu ndotjen e shkaktuar nga tregtia ndërkombëtare.
Në një intervistë të gjerë për serinë “BBC Radio” të “39 Mënyrat për të shpëtuar planetin”, Schwarzenegger pohoi se, suksesi i vazhdueshëm ekonomik i Kalifornisë dhe krijimi i vendeve të punës dëshmojnë se reduktimi i dyoksidit të karbonit dhe rritja e pasurisë ecin paralelisht.
“Ata janë gënjeshtarë, ata janë budallenj. Ose nuk dinë si ta bëjnë këtë…”,- argumentoi ai.
Schwarzenegger u bë një kampion i ajrit të pastër dhe energjisë së rinovueshme dhe kur ishte guvernator midis viteve 2003 dhe 2011 – vendosi objektiva për të reduktuar tymin e shkarkimit dhe emetimet e gazrave serrë.
Që nga largimi nga detyra, ai e ka përdorur famën dhe ndikimin e tij për të promovuar politikat e reduktimit të karbonit, veçanërisht me Iniciativën e Klimës Schwarzenegger.
Schwarzenegger është gjithashtu kritik ndaj një axhende mjedisore të fokusuar në sakrifikimin e stilit të jetesës.
Ish-kampioni i bodybuilder thotë se, ka reduktuar konsumimin e tij të mishit me rreth tre të katërtat në vitet e fundit, por argumenton se si rezultat po “fiton”.
“Që kur haja më shumë perime dhe ushqime me bazë bimore, mjeku im i zemrës tha se arteriet e mia kanë ndalur së ngushtuari”,- tha ai.
“Pra, si paskam hequr dorë nga diçka? Fitova shëndetin tim, më dhanë dy vjet shtesë”.
Schwarzenegger gjithashtu beson se, teknologjia po jep zgjidhje dhe përmend Hummer-in e tij, një automjet masiv fuoristradë e stilit ushtarak, që ai kaloi nga dizel tek energjia e baterisë si dëshmi, duke pasur parasysh se versioni elektrik jep më shpejt dhe më shumë kuaj-fuqi.
/Burimi: BBC/