Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thanë të enjten në mbrëmje se kanë filluar këshillimet e brendshme rreth marrëveshjes me Bullgarinë për zgjidhjen e ngërçit mes tyre, në bazë të një propozimi francez. Marrëveshja i hap rrugën nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shkupit por dhe Tiranës.
Arritjen e një kompromisi e bëri të ditur i pari presidenti francez Emmanuel Macron, i cili drejtoi këto 6 muaj presidencën e Bashkimit Europian dhe u angazhua personalisht për gjetjen e një zgjidhjeje edhe gjatë samitit të NATO-s në Madrid.
“Jam i bindur se kemi arritur një zgjidhje kompromisi” deklaroi presidenti Macron gjatë një konference me gazetarë në Madrid, por pa dhënë asnjë hollësi.
Bullgaria anëtare e BE-së kishte refuzuar të miratojë kuadrin e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën.
Por ligjvënësit bullgarë votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit që do të garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të angazhonte Shkupin të mbajë marrëdhënie të mira me Bullgarinë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një deklaratë të saj u shpreh se ka pranuar një propozim nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve të shprehura publikisht prej saj”, duke shtuar se “kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha të enjten në mbrëmje se “çështjet historike nuk vihen në tryezën e bisedimeve me Bullgarinë dhe se propozimi francez me ndryshimet e bëra, nuk e kërkon këtë”.
Ai tha se propozimi do të diskutohet në të gjitha institucionet e rëndësishme të vendit, në parlament, me shoqërinë civile dhe ekspertët, por nuk është e qartë se sa kohë do të vazhdojnë debatet. Presidenti i vendit Stevo Pendarovski dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, thanë se propozimi i modifikuar është shumë më i mirë se teksti i mëparshëm.
Askush nga autoritetet në Shkup nuk dha ndonjë hollësi se çfarë përmban propozimi.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shkroi më herët gjatë ditës në Twitter se mirëpriste “zgjidhjen franceze për një marrëveshje që do të shtronte rrugën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura. Jemi më afër se kurrë. Tani është momenti të thuhet Po”, shkroi ai me një referencë të qartë ndaj Shkupit. Kryeministri shqiptar Edi Rama, i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut të pranojë propozimin francez. Ai shkroi se propozimi “që është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Nëse gjithçka përmbyllet në kohë, gjasat janë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të zhvillohen që javën e ardhshme./VOA