Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, tha se do të vazhdojë drejt një qeverie të pakicës pas tërheqjes së një prej katër partive nga qeveria e koalicionit qendror të vendit.
“Një qeveri e pakicës është më e mirë se ajo që është nën presion dhe zhvatje të vazhdueshme (nga një partner koalicioni)”, u tha gazetarëve të mërkurën kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Tre ministra të partisë populiste u larguan nga qeveria, mes tyre edhe ministrja e jashtme Teodora Gençovska, duke vënë në rrezik të ardhmen e koalicionit qeverisës.
Kreu i partisë së tyre, Slavi Trifonov, përmendi mosmarrëveshjet me rishikimin e buxhetit të shtetit të propozuar nga kryeministri, duke e akuzuar atë se e çon vendin drejt falimentimit duke ngritur borxhe të reja.
Trifonov akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka injoruar interesat kombëtare të Bullgarisë duke bërë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që ajo të mund të fillojë bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian.
“Që nga sot po i tërheq ministrat tanë dhe po i jap fund këtij koalicioni dhe kësaj agonie”, tha Trifonov.
Koalicioni qeverisës me katër parti komandon 134 vende në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë e cila ka 240 vende, por pa mbështetjen e 25 ligjvënësve të Trifonov, kryeministri mbetet pa një shumicë të nevojshme.