Komisioneri i BE Oliver Varhelyi, ka reaguar pasi parlamenti bullgar vendosi që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i hapur këtij vendi dhe Shqipërisë rrugën drejt integrimit në BE.
Përmes një postimi në Twitter, Varhelyi shkruan se tani është radha e Bashkimit Europian që të hapë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Mirëpresim vendimin ndërpartiak të parlamentit bullgar që jep mandat të qartë për miratimin e propozimit francez. Tani na duhet vendimi i BE-së për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Evropa ec përpara!” – tha Varhelyi.
Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.