Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë bëri të ditur se deri në fund të presidencës franceze nuk ka kushte për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut.
Sipas një komunikate të publikuar në Sofje, MPJ e Bullgarisë thotë se pa një vendim nga qeveria dhe Parlamenti, nuk do të mund ndërtohet një qëndrim lidhur me propozimin francez për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut.
Kjo ministri drejtohet nga ministrja në dorëheqje Teodora Gencovska, pjesë e partisë “Ka një popull të tillë”, e cila u largua nga qeveria.
“Nëse kjo nuk ndodh sa më shpejt, Ministria e Punëve të Jashtme ka mandat vetëm t’i përmbahet qëndrimit Kornizë, Deklaratës së Parlamentit të vitit 2019 dhe konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2022, mbi të cilat drafti i propozuar nuk i plotëson kushtet”, thuhet të komunikatë.
Sipas kësaj, vetoja bullgare do të mbetej në fuqi nëse nuk do të ketë qëndrim nga Qeveria dhe Parlamenti bullgar deri më 21 qershor, në mbledhjen e këshillit për punë të përbashkëta të BE-së dhe Këshillit Evropian për 23 dhe 24 qershor.
Propozimi francez, siç është bërë e ditur jo zyrtarisht përmban pesë pika.
Maqedonia e Veriut që nga nëntori i vitit 2020 nuk mund të nis bisedimet me BE-në për shkak të vetos bullgare.
Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.