I ftuar në një studio, Aldo Bumçi ka renditur arsyet se përse sipas tij opozita u përball me një rezultat të dobët në zgjedhjet e 14 majit.
Ai u shpreh rezultati mes të tjerash ishte rezultat i makinacioneve të pushtetit dhe përpjekjet për të demotivuar qytetarët që të dilnin në zgjedhje.
Bumçi shtoi se kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë të pazakontë ku i kërkoi qytetarëve të mos shkonin në qendrat e votimit, kur e kundërta duhet të ndodhë, pra që politikanët të motivojnë qytetarët të shprehin vullnetin e tyre.
“Nuk është dhunuar opozita por qytetarët. Zgjedhjet janë i vetmi mjet që qytetarët të ndikojnë politikën. Nuk është një ndeshje futbolli që humb skuadra jote.
Demotivimi i votuesit ka ndodhur në disa fusha. Rama u kërkoi të mos dilnin në votime nëse nuk do votonin PS. Deklaratë e padëgjuar, sepse zakonisht politikanët nxisin pjesëmarrjen.
Kemi lëvizjen e 1.3 mln zgjedhësve nga KQZ, shkelje haptazi e të drejtës për të votuar, sepse nëse ndryshon qendra jo të gjithë kanë vullnet për ta gjetur se ku është qendra e saktë për të votuar.
Në raportet e OSBE-ODIHR ekziston fenomeni i kartës ë identitetit për të penguar votimin. I paguan, nëse nuk ke besim se do të votojë për ty i merr kartën që të mos votojë fare.
Pjesë e raportit për zgjedhjet e kaluara.
U ndërtua një klime për të demotivuar votuesin. Nuk kishim numërues në gjysmën e tavolinave.
Kodi Zgjedhor ndalon pagesat e veçanta në kohë zgjedhje dhe tenderat. 68 mijë pensionistë morën 50 mijë lekë, çka ndalohet nga Kodi.
E njëjta edhe me asfaltin elektoral”, tha ai.