Debati mes gazetarit Andi Bushati dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte plot akuza ndaj të dy palëve mbrëmjen e djeshme në emisionin “Open” në Top Channel.
Përveç se e akuzoi për lidhje me oligarkët, gazetari Bushati i tha Bashës së nuk bëri asgjë për të mbrojtur Teatrin apo për të goditur Qendrat Tregtare, siç kishte deklaruar.
Përballë akuzave të Bushatit, Basha nga ana e tij e akuzonte gazetarin se “ka mision të shkatërrojë PD-në”.
Bushati: Është bërë anekdotë kjo “mbi trupat tanë”
Basha: Jo, anekdotë e ke bërë ti
Bushati: Te Teatri, te Fatmir Xhafa, te rruga e Kombit
Basha: Kur unë isha te Teatri, ti pije ose flije gjumë
Bushati: Unë shquhem për gjumë, e dua gjumin në fakt, më pëlqen
Basha: Unë isha te Teatri atë natë dhe të nesërmen isha me sy të skuqur prapë te Teatri
Bushati: Dhe e mban mend deklaratën, që nëse shembin Teatrin do i kthehemi shtëpisë së Edi Ramës në Surrel dhe qendrave tregtare të oligarkëve. Gërvishte ndonjë qendër tregtare për të mbrojtur deklaratën dhe dinjitetin tënd?
Basha: Ti e bën këtë për të diskretituar një betejë në të cilën unë personalisht dhe PD është angazhuar me mish e me shpirt për dy vjet me radhë, kemi bërë dezhurn aty. Ti e ke kthyer mision të jetës tënde të shkatërrosh PD-në, por nuk do ia dalësh.
Bushati: Edhe sikur të dua nuk e bëj dot se e bëre ti