Banka e Shqipërisë paraqiti të premten në Komisionin Kuvendor për Ekonominë dhe Financat opinionin mbi Projektbuxhetin e vitit 2022. Guvernatori, Gent Sejko, tha se, Banka e Shqipërisë këshillon përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve.
Sipas tij, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike.
Gjithashtu, ai kërkoi integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.
Në raport me investimet publike në përgjithësi, BSH-ja gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë.
BSH-ja u shpreh në favor të nisjes së procesit të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2022. Sipas projeksioneve të Projektbuxhetit, deficiti buxhetor programohet të ulet në 5.4% të PBB-së për vitin 2022, kundrejt nivelit 6.8% të pritur për vitin aktual. Po ashtu, deficiti primar programohet të regjistrojë një konsolidim prej 1.9 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2022, ndërsa borxhi publik bruto parashikohet të reduktohet me 1.1 pikë përqindjeje.
Sejko tha se, në mungesë të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nevojës e përfundimit të procesit të rindërtimit, konsolidim do të duhej të ishte edhe më ambicioz.
BSH-ja sugjeron nevojën për vëmendje të vazhduar nga autoritetet fiskale ndaj ecurisë së të ardhurave, për të identifikuar në kohë diferencat e mundshme negative midis faktit dhe planit, si dhe për të marrë masat e nevojshme për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
/Priza.al/