Kreu i Partisë së Lirisë foli për krizën në vend ndërsa tha se ajo është e shkaktuar jo thjesht nga faktorë të jashtëm por, nga qeverisja dhe “korrupsioni skizofrenik”. Duke u ndalur tek buxheti i vitit 2023, Meta tha se ky buxhet favorizon oligarkët dhe klientët e Ramës dhe është në dëm të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij në një mbledhje të Kryesisë së PL-së, Meta nuk la pa komentuar edhe barrierat financiare të vendosura ndaj prodhuesve të pijeve në vend, teksa tha se akciza e vendosur ndaj tyre dëmton rëndë prodhuesit dhe rrit papunësinë në vend.
“Barra e kësaj krize ekonomike të shkaktuar jo thjesht nga faktorë të jashtëm por nga qeverisja dhe korrupsioni skizofrenik i kësaj qeverie. Është e rëndësishme të denoncojmë qartë këto skandale shokuese si porti i Durrësit apo afera më e freskët e Lekaj-Fier por, njëkohësisht edhe çmontimin e buxhetit në favor të oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës dhe shkon në përfitimin e tyre dhe në dëm të qytetarëve.
Totali i kostos së borxhit për vitin tjetër do arrijë shumën rekord prej 1.15 miliardë euro, ndërsa totali i kostos së shërbimit të borxhit do jetë i barabartë me buxhetin e 3 ministrive. Do jepen 1 miliardë euro për 7 koncesione dhe do vazhdojnë rrugët me qindra milionë euro, ndërsa korrupsioni në dogana do vijojë të bëjë namin. Ky buxhet i jep një goditje tjetër prodhimit vendas të pijeve si rezultat i rritjes së akcizës duke favorizuar evazionin dhe importuesit dhe jo eksportuesit. Nuk ka rrijte të pagave të administratës pavarëisht rritjes së çmimeve. Është e rëndësishme të bëjmë më të mirën për të anuluar rritjen e akcizës për prodhuesit e verës dhe birrës për shkak se kjo dëmton prodhimin vendor dhe rrit papunësinë. Kjo akcizë bie ndesh edhe me normat e Bashkimit Evropian duke Iidëmtuar rëndë këta prodhues”, tha Meta.