Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar lidhur me projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2023.
Përmes një deklarate për mediat, Konfindustria shprehet se pse nuk ka pasur një parashikim buxhetor për vënien në punë të TEC-it të Vlorës.
Sakaq e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që qeveria që në paketën fiskale nuk ka parashikuar asnjë ulje fiskale për produkte si karburantet dhe gazi i lëngshëm.
Sakaq thekson se më vend të anijeve nga Bangladeshi të vihet në punë TEC-i i Vlorës
Deklarata e plotë:
Konfindustria vlerëson, se Buxheti dhe Paketa Fiskale 2023, të paraqitura nga ekzekutivi, tregojnë mungesë të qartë të strategjisë të përballimit të krizës energjetike të shpallur zyrtarisht. Është e pakuptueshme, që nuk ka asnjë parashikim buxhetor prej pak milionë $USD për vënien në punë të TEC-it të Vlorës pas 11 vitesh, ndërkohë që parashikohen me qindra milionë euro shpenzim për të njëjtin sasi të prodhimit të energjisë nga anijet e sjella nga Bangladeshi me ndikim shkatërrues mjedisor. Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme, që në Paketën Fiskale 2023 nuk është parashikuar asnjë ulje e ngarkesës fiskale për produkte si karburantet dhe gazi i lëngshëm me qëllim zbutjen e pasojave të krizës energjetike. Konfindustria ka kërkuar në pezullimin e “taksës së qarkullimit” dhe “taksës së mjedisit” me qëllim uljen e cmimeve të paktën në nivelin e shteteve të rajonit. Gjithashtu, kërkohet heqja e plotë e taksave për “gazin e lëngshëm”. Konfindustria mbështet politikën financiare të sapofilluar për familjet dhe bizneset për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Shuma e shpallur prej vetëm 2 milionë euro është mjaft e ulët dhe duhet parashikuar e shumëfishuar në Buxhetin 2023.
Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme mosparashikimi në Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2023 të uljes së barrës fiskale si dhe financimit të veshjeve termoizoluese për ndërtesat publike dhe private, njësitë industriale, pajisjeve termike për rritjen e eficiencës energjetike, etj.”