Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka prezantuar ditën e sotme, propozimet për ndryshime në Kodin Penal. Ai kërkon që në mosparashkrimin e veprës penale të kryer nga zyrtarë të lartë si kryeministri, ministrat dhe organe të tjera, të shtohet një fjali ku përjashtohet dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Në nenin 66, te titulluar “Mosparashkrimi i ndjekjes penale”, pas fjalisë, “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit”, të shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Nuk i nënshtrohen parashkrimit, veprat penale dhe akuzat penale te korrupsionit dhe te krimit te organizuar, kundër Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, Ministrit, Kryetarit te Kuvendit, Kryetarit te Bashkisë Tiranë, drejtuesit e institucioneve qendrore përgjegjëse për prokurimet publike dhe koncesionet, si dhe ish-funksionareve te sipërpërmendur. Kjo dispozite i shtrin efektet e saj deri ne datë 31.12.2037” – tha Bylykbashi.
Deputeti i opozitës shtoi se parashkrimi nuk mund të bëhet mburojë për politikanët me poste të larta dhe aprovimi i kësaj dispozite thotë se tregon vullnetin për të luftuar korrupsionit: “Ne kemi prova për ministra dhe ish ministra të implikuar në korrupsion dhe janë në ndjekje penale. Gjykoj që parlamenti përmes diskutimit dhe aprovimit të kësaj dispozite të tregojë vullnetin për të luftuar korrupsionin për të hequr çdo lloj mburoje. As imuniteti s’duhet të mbrojë kryeministrin, zv.kryeministrin apo ministra të tjerë”