Në Komisionin e Ligjeve ditën e sotme u diskutua projektligji i propozuar nga Partia Demokratike. Deputeti Oerd Bylykbashi u shpreh se ky projektligj ka për qëllim ndalimin dhe largimin e funksionarëve të lartë të regjimit komunist, dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nga funksionet publike.
“Projektligji për lustracionin është në vazhdën e përpjekjeve që ka bërë parlamenti për ta kryer këtë detyrë shumë të rëndësishme, detyrim moral që kemi ne për të bërë lustracion të të gjithë individëve me funksione të larta politike në sistemin komunist duke filluar nga Byroja politike dhe deri te instrumentet e represionit institucional që regjimi komunist kishte, ku përfshihet Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Policia, Prokuroria, gjykata dhe hetuesia dhe gjithashtu bashkëpunëtorët që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit duke shkaktuar krime, vuajtje dhe pasoja të rënda për shoqërinë. Të gjithë këta individ të cilët janë sot edhe në institucione, apo synojnë për të marrë funksione të zgjedhura apo të emëruara të ndalohen t’i marrin këto funksione apo të hiqen nga funksionet” – tha ai.
Deputeti tha se parlamenti ka bërë disa përpjekje për ligjin e lustracionit në vitin ’93, ’95, 2008 por sipas tij është kundërshtuar nga PS.
“E para në vitin ’93 e cila ishte përpjekja për largimin nga sistemi i drejtësisë të kësaj kategorie, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese nga ankesa e bërë nga Partia Socialiste. E dyta është në vitin ’95, një ligj i njëjtë që përveç ligjit për gjenocidin, i cili edhe se u godit nga Partia Socialiste Gjykata Kushtetues e la në fuqi. Por nga viti ’97 deri në 2001 kur ishte afati i skadimit të atij ligji, Partia Socialiste siç thotë Komisioni i Venecias në opinionin që i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009, e la të skadonte pa efekte duke mos bërë efektiv atë ligj. Më pas është ligji i viti 2008 i cili u godit sërish nga Partia Socialiste në Gjykatë Kushtetuese dhe që u shfuqizua” – tha ai.