Kompanitë Call-center në Shqipëri, për disa vite me radhë u trumpetuan me të madhe si një sektor që po zhvillohej dhe po rriste punësimin, por tashmë këto lloj biznesesh duket se po cenojnë jo vetëm kursimet e qytetarëve, por edhe sigurinë kombëtare.
Shqipëria është kthyer në vendin ideal, ose në një “parajsë” për të hapur kompani si ajo e “Ujkut të Uoll Stritit”. Skemat e mashtrimit ndryshojnë, por qëllimi mbetet i njëjtë: zhvatja e parave me skema mashtrimi nga qytetarët.
Nëpërmjet platformave të rreme, operatorët apo të ashtuquajturit agjentë financiarë bindin qytetarë të investojnë mijëra euro, duke i premtuar fitime marramendëse.
Ata prezantohen si këshillues financiarë, të cilët do t’i shumëfishojnë paratë e tyre në bursa dhe një ditë platforma mbyllet dhe zhduket bashkë me paratë.
Renato Muça, kreu i sindikatës së postë-telekomunikacionit, shpjegoi në një prononcim për “TCH”, se ky aktivitet zhvillohet tërësisht në të zezë dhe policia burim kryesor për t’i ndjekur ka lidhjen e internetit.
“Këto call-centera operojnë kryesisht në grupe të vogla dhe janë të vendosura nëpër apartamente, nëpër zyra me adresa false që figuron vetëm nëpër letra. Nga aq sa ne dimë policia këto call-centera, do t’i zbulojë nga kompanitë që i kanë ofruar shërbimin e internetit. Disa prej punonjësve të këtyre kompanive janë thirrur dhe për të dëshmuar”,- tha Muça.
Sipas tij, të përfshirë në këtë aktivitet nuk janë vetëm të rinjtë, por dhe njerëz të kualifikuar.
“Nuk merren vetëm njerëzit e rinj me këtë aktivitet, por ne kemi parë edhe njerëz me doktoratura, juristë, të cilët e bëjnë për shkak të përfitimeve të mëdha”,- shtoi më tej ai.
Të rrezikshmit që fshihen pas Call-centerave
Kompanitë e Call-centerave në vendin tonë, nuk janë thjesht dhe vetëm biznese të hapura nga individë që kanë dashur të investojnë para dhe të bëjnë fitime të pastra.
Pas shumë prej këtyre kompanive qëndrojnë rrjetet të tëra të huaja, trafikantë dhe mashtrues ndërkombëtarë, por edhe persona që punojnë për oligarkë nga Lindja dhe për mafien.
Gazetari Artan Hoxha, i cili ka folur shpesh kohët e fundit për këtë problem dhe ka qenë nga të parët që ka ngritur alarmin për to publikisht, ka zbuluar “trurin” pas “Call Center”-ave që mashtronin qytetarët duke u marrë paratë me premtimin se do të fitonin miliona me Bitcoin.
I ftuar në “ABC Live”, sot gazetari Hoxha, publikoi foton dhe të dhënat e biznesmenit me origjinë izraelite, i cili në mënyrë të papritur është shpallur non- grata në Shqipëri, me pretekstin e “prishjes së qetësisë publike”. Ai është Mikhael Benjamin i njohur me nofkën “Mishka” dhe sipas Hoxhës, ka miqësi me njerëz të botës së politikës nga ministra dhe deputetë dhe persona të tjerë me pushtet.
Hoxha deklaroi se “Call Center”-i i tij ofron pagesa më joshëse në vendin tonë. Nga ana tjetër bizneset e tij vijojnë të jenë aktive dhe në lidhje me këtë çështje nuk ka nisur ende një hetim. Hoxha paralajmëroi se pas gjermanëve në Shqipëri pritet të vijnë edhe amerikanët, francezët dhe italianët për të hetuar paratë që kanë humbur qytetarët e tyre nga kjo skemë e zhvatjes.
Kush është Mikhael Benjamin
Sipas gazetarit Hoxha: “Mikhael Benjamin, izraelit i datëlindjes 1975. I pajisur me pasaportë më 1 shkurt të vitit 2016 (pasaportën e ka marrë në Sarajevë). Është një nga themeluesit e këtij aktiviteti.
Ai ka qëndruar me deputetë, ministra dhe politikanë. Ishte truri i asaj që po bëhet. Ky person në Shqipëri ka bërë edhe biznese të tjera, nga hidrokarburet te kriptomonedhat. Ka pasur Call Center me pagesat më joshëse në Shqipëri.
Në një moment, pa pritur pa pasur një çështje penale, autoritetet shqiptare këtë person e kanë shpallur non-grata dhe e kanë deportuar, ndërkohë që bënte biznes në mënyrë të ligjshme.
Si është e mundur që papritur ky njeri shpallet non-grata me motivin për ‘prishjen të qetësisë publike’. Nuk kemi shpallur një shtetas izraelit një biznesmen të regjistruar.
Është shpallur non-grata pa i’u dhënë mundësia të shkojë në proces penal. Pse e larguan me urgjencë. Ai njeri mund të nxjerrë shumë gjëra si funksionon ky biznes në Shqipëri.
Ai ka informacione shumë. Askush nuk thotë dot që nuk e njeh Mishkën. E kanë shpallur non-grata deri në vitin 2023. Bizneset e tij nuk janë non-grata. Janë në aktivitet.
Ai ka punuar me shqiptarë me shumë lidhje të forta me pushtetin. Bizneset dhe kompanitë e tij i mori dikush. Nuk ka një hetim për këtë gjë. Shqipëria nuk fiton ndonjë gjë të madhe nga kjo. Kanë ardhur gjermanët. Do vijnë francezët, italianët dhe amerikanët. Kemi zhvatur qytetarët e tyre dhe ata nuk ta falin. Vjen dikush me një hard-disk. E fut aty vjedh edhe zhduket”.
Kush i ka marrë bizneset e Mishkës
Gazetari Hoxha ka ngritur sot dyshimet se, bizneset e tij janë në përdorim nga persona që e kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë, për të marrë në zotërim aktivitetet e tij.
“Autoritetet tona e kanë ditur me saktësi se ku janë kërpudhat që mbijnë pas shiut. Ky është një nga njerëzit që po t’i jepet mundësia të hetohet mund të dalë e vërteta. Mund t’ia kenë marrë këta tanët paratë dhe bizneset. SHISH është marrë me atë. Nëse pyet me autoritetet izraelite rezulton se ai nuk kishte probleme në Shqipëri”,- tha gazetari.
Ai u shpreh se, pas zhurmës së krijuar në ditët e para të publikimit të skandalit, në Shqipëri janë mbyllur me qindra Call Center, por shtoi se ky hetim i nisur nga SPAK, duhet të shkojë deri në fund, përndryshe ata do të kthehen sërish.
“Ky operacion që ne e kishim thënë disa herë më në fund nisi. Pas tre ditësh kjo histori harrohet. Kanë ndodhur ngjarje të tjera. Ka pasur shumë interes dhe interferenca nga politikanë dhe elementë të tjerë që kjo histori të mos bëjë zhurmë.
I bëj apel drejtorit të përgjithshëm t’i shkojnë deri në fund urdhrit që ka dhënë. Çfarë ka ndodhur deri më sot. Vala e parë e operacionit u duk sikur u sfumua. Shqipëria po përdorej si territor dhe bazë operacionale e krimit të organizuar.
Kriminelë nga vend të ndryshme të Europës po përdorin territorin e Shqipërisë. Aty brenda ndodh një katrahurë e madhe. Pas zhurmës së ditëve të para janë mbyllur me qindra nga këto Call Center nëpër pallate.
Janë mbyllur derisa të kalojë kjo valë. Po kalohen në sitë ata që janë të deklaruar. Po ata që janë të deklaruar i kanë marrë masat mbrojtëse. Implikimi në këtë lloj krimi i njerëzve me pushtet në këtë vend. Kjo histori duhet të shkojë deri në fund”,- tha Artan Hoxha.
Pre e mashtrimit të Call Center-ave kanë rënë mbi 1 mijë shtetas të huaj, ku shuma e vjedhur ndaj tyre shkon në miliona euro, pasi vetëm një personi mund t’i jetë vjedhur mbi 500 mijë euro. Kjo ka detyruar Prokurorinë shqiptare të nisë hetimet me kërkesë të Holandës dhe Gjermanisë.
/Priza.al/