Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron vijon sot ditën e dytë të vizitës në Kosovë ku është pritur nga shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Britania duhet t’i përkrahë miqtë e saj në një botë me konflikte të mëdha” tha Cameron në konferencën për median me ministren Gërvalla.
Ish-kryeministri britanik tha se ata vazhdojnë të mbeten mbështetës të mëdhenj të Kosovës.
“Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të Kosovës, dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët”, ka thënë Cameroni në konferencë për media.
Ndër të tjera vuri theksin tek stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe.
Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar. Jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona” tha Cameron.