Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, Igli Cara, është shprehur se institucioni i bashkisë ka qenë një derë e mbyllur për qytetarët dhe është trajtuar si pronë e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe kryebashkiakes aktuale, Emirjana Sako.
Cara tha se në Durrës nuk është përmbyllur as 50 % e procesit të rindërtimit. Ai ftoi qytetarët që në 14 maj të votojnë për ndryshimin.
“Ka qenë një fushatë që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme… Një kryefjalë kam dalluar, qytetarët presin një ndryshim. Këto 16 vitet e fundit kanë qenë shkatërruese për Durrësin dhe më duket se dëmi që i është bërë, mund ta krahasojmë me dëmin që është shkaktuar nga tërmeti. Rinia ka ikur, kjo vjen dhe për shkak të qeverisjes së keqe edhe të pushtetit lokal. Në këto vite është transformuar jo për mirë. Betonizim i qytetit, duke dëmtuar edhe trashëgiminë dhe identitetin e qytetit.
E para kryefjala është që bashkia është një derë e mbyllur për qytetarët, sepse është menduar si pronë e një grupi të caktuar, Dako e Sako. Në çdo takim më thonë që nuk vinë as të ballafaqohen me premtimet. Sako nuk pranon të dalë në përballje me rivalin dhe kjo tregon shumë. Kostot e jetesës janë rritur shumë dhe nuk kanë marrë shërbimet që duan.
Më shumë se gjysma e qytetit ka ujë me ndërprerje, transporti urban lë për të dëshiruar, procesi i rindërtimit një plagë që në këto katër vite ka rënduar në Durrës. Sot nuk është mbyllur as 50% e procesit të rindërtimit.
Të gjitha këto do të gjejnë zgjidhje pas datës 14 maj. Socialistët Po manipulojnë njerëzit duke thënë se do japin shtëpi me lista, por të gjitha këto janë propagandë për të fituar vota.
Unë nuk kam thënë asnjë fjalë për këtë status, por mendova si ka mundësi që një zonjë që është dhe nënë, shkon në atë pikë sa të përmendë nënën e kundërshtarit. E kuptoj që mund të jetë në siklet por është veprim i ulët. Unë nuk do guxoja kurrë siç nuk e kam bërë, të përmend familjarë të rivalët e mi, aq më tepër nënën. Zoti e faltë se të përmendësh nënën e kundërshtarit është nga aktet më të rënda”, tha Cara.