Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është bashkuar shqetësimit të kandidatit për kryetar bashkie në Durrës, Igli Cara për ujërat e kontaminuara të Landfillit të Sharrës, të cilat përfundojnë në lumin Erzen dhe më pas në Gjirin e Ishmit në Durrës.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se ky problem është denoncuar vazhdimisht nga komuniteti i Ishmit dhe Shoqatat Mjedisore.
“Solidaritet dhe mbështetje të plotë për shqetësimin e ngritur nga Kryebashkiaku i ardhshëm i Durrësit, z.Igli Cara për Ujërat e kontaminuara të Landfillit të Sharrës, që përfundojnë në Erzen dhe më pas në Gjirin e Ishmit në Durrës. Ky problem është denoncuar vazhdimisht edhe më parë nga komuniteti i Ishmit dhe Shoqatat Mjedisore.
Kjo situatë skandaloze ku Bashkia e Veliajt grabit qindra milion euro për inceneratorë, që nuk ekzistojnë dhe Bashkia e Durrësit, që shpërdoron miliona euro për të çuar plehrat në Landfillin e Tiranës duke dëmtuar edhe shëndetin e qytetarëve me ndotjen e ujërave të lumenjve, do ta marrin përgjigjen e merituar më 14 maj kur pushteti lokal do t’u kthehet qytetarëve. Qytetarët janë të parët”, shkruan Meta.