Reperja dhe këngëtarja e njohur Cardi B mori një dënim në shërbim të komunitetit për sulmin e saj ndaj dy punonjësve të klubit të striptizimit. Ajo u shpall fajtore ditën e enjte për dy vepra penale: një akuzë për sulm të shkallës së tretë dhe një akuzë për rrezikim të pamatur të shkallës së dytë, e cila u dënua me 15 ditë shërbim në komunitet.
Dënimi i Cardi B vjen katër vite pasi u akuzua për sulmet ndaj dy banakierëve të club-it të striptizmit në vitin 2018. 29-vjeçarja, emri i vërtetë i të cilës është Belcalis Almanzar, pranoi se kishte organizuar dhe marrë pjesë në sulme pasi i ofroi 5 mijë dollar një mikut të saj për ta ndihmuar në sherrin me banakieren.
Prokurorët thanë se në gusht të vitit 2018, Cardi mbërriti në “Angels Strip Club” në Flushing, Queens, pas orës 3 të mëngjesit. Natën e parë, grupi goditi një banakiere, duke i tërhequr flokët, duke e goditur me grusht dhe duke e përplasur kokën e saj në banak. Dy javë më vonë, ata u kthyen duke i hedhur alkool, shishe dhe një tub nargjile motrës së viktimës së parë.
Sipas autoriteteve, incidentet erdhën pas një grindjeje mes Almanzar dhe dy motrave, njëra prej të cilave ajo besonte se kishte një lidhje me bashkëshortin e saj, reperin Offset. Përveç shërbimit në komunitet, reperja është urdhëruar të qëndrojë larg viktimave, të identifikuar si Jade dhe Baddie Gi, për tre vite.