Selia e Partisë Demokratike është çarmatosur nga dyert e blinduara direkt pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga detyra si kryetar. Kërkesën për heqjen e dyerve të fortifikuara e kanë bërë disa nga deputetët demokratë.
Dyert e blinduara në selinë e PD u vendosën pak ditë para protestës së paralajmëruar nga ish-Kryeministri Sali Berisha më 8 janar, për largimin e kryetarit tashmë të dorëhequr të PD, Lulzim Bashës.
Kujtojmë se, Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh dje për herë të parë pa Lulzim Bashën, i cili pak ditë më parë u tërhoq për të hapur rrugën e bashkimit të demokratëve pas asaj që ka ndodhur që prej 9 shtatorit të vitit të kaluar.
Diskutimet kanë qenë mbi formulën se si duhet të shkohet drejt një negocimi. Deputeti i Shkodrës Helidon Bushati ishte i pari që dha idenë e tij për të shkuar drejt negociatave.
Hapi i parë, sipas tij, nis duke hequr dyert e blinduara në seli. Kërkesë që është mbështetur më pas edhe nga deputeti Ervin Salianji, i cili tha se dyert e hekurta ta shpifin dhe, nëse hiqen, japin një mesazh për negociata.
Më pas, gjatë diskutimit, ka pasur edhe një përplasje mes Jemin Gjanës dhe Helidon Bushatit, pasi Gjana iu drejtua deputetit të Shkodrës se vjen nga një familje e madhe shkodrane dhe s’mund të japë ide me heqje dyersh.