Vetëm ditën e sotem kanë ndodhur 4 aksidente në të gjithë vendin, me një bilanc prej
9 te plagosur. Lidhur me këtë, drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Altin Qato ka njoftuar masat e marra në lidhje parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë sezonit veror.
Qato tha se policia do të jetë në kontroll të plotë për të parandaluar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, ku përmendi edhe se në zonën e Radhimës deri tek Uji i Ftohtë ka trafik të rënduar të automjeteve për shkak të turistëve dhe vendasve që kanë zgjedhur të kalojnë këtë të diel në bregdet.
Sakaq i bëri thirrje qytetarëve që të shmangin trafikun dhe të përdorin rrugën alternative.
“Për të rritur gatishmërinë maksimale, për të krijuar rrugë sa më të sigurta dhe për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të pasur mbarëvajtje trafiku sa më normale. Fluksi është i shtuar dhe jemi në këtë aks rrugor sepse çdo sezon veror, është tepër i ngarkuar sepse ka vështirësi në përballimin e fluksit të mjeteve. Dje ishim në një forum me gjithë partnerët me sigurinë robote dhe fatmirësisht jemi në një trend të dukshëm të uljes së aksidenteve që na çon drejt mesatares së BE. Megjithatë nuk jemi të kënaqur dhe policia ka shtuar kontrollet. Me të gjithë aktorët ne duam të ndikojmë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Përveç punës që bëjmë ne, policia përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për ndëshkimet e kodit rrugore në mënyrë që të kemi ndërgjegjësim. Rezultati është shumë pozitiv por në duam minimizimin deri në nivelin zero të aksidenteve.
Kemi edhe shumë shtetas që vijnë nga vendet e tjera prandaj ka më shumë lëvizje në këtë periudhë. Nuk do të tolerojë asnjë drejtues mjeti që bën parakalime të gabuara sepse prishin bashkëjetesen qytetare dhe shkelin kodin rrugor. Secili duhet të presë radhën. E premtja është ditë shumë e rënduar prandaj ka më shumë kontrolle edhe e diela gjithashtu që kthehen. Qëllimi nuk është të vendosim gjoba por ndërhyjmë në rast shkeljeje pasi mund të rrezikohet siguria”, tha ai.