Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, mendon se ekipit të tij duhet t’i jepen tri pikët nëse tifozët e Manchester Unitedit futen në fushë dhe e shtyjnë ndeshjen e sontme.
Përballja në mes të dy ekipeve ishte shtyrë në maj të vitit 2021 pasi tifozët e United kishin protestuar kundër pronarëve të klubit, familjes Glazer. Tifozët pritet të protestojnë edhe një herë pas një vere dëshpëruese dhe një sezoni të dobët të filluar.
“Planet për ndeshjen nëse s’luhet? Po, të shkojmë në shtëpi me autobus”, shpjegoi Klopp për “BBC Sport”. “Unë vërtet shpresoj që kjo të mos ndodhë, por nëse ndodh, mendoj se ne do t’i marrim pikët”, vazhdoi ai.
“Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me situatën dhe, nëse tifozët duan që ndeshja të mos zhvillohet, më pas ne nuk mund ta përsërisim sfidën dhe të përshtatemi në një sezon jashtëzakonsht të ngarkuar”, – shtoi tutje trajneri gjerman. Ndeshja Manchester United-Liverpool luhet sonte në orën 21:00.