Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një komunikim me gazetarët të zhvilluar sot, tha se do të ketë sanksione të rënda për përgjegjësit, nëse nxjerrin rezultate të kundërta nga ato që janë konfirmuar nga komisionerët.
Kreu i KQZ u shpreh se nëse një parti politike do të kërkojë hapjen e kutive të votimit, ato do të hapen dhe do të vlerësohen sërish.
“Në lidhje me sigurinë e procesit do të sjell disa gjëra në vëmendje të publikut, për të konfirmuar që çfarë KQZ ka bërë, janë të tilla që sigurojnë procesin zgjedhor dhe vullnetin e votuesve. Jam i sigurt që procesi, veçanërisht ai i nxjerrjes së rezultatit, nuk do të ketë probleme. Komisionerë, të cilët do të angazhohen në këtë proces, janë të ndërgjegjësuar për të gjitha penalitetet që do të kenë, nëse sjellja e tyre do të jetë në kundërshtim me detyrën që ka. KQZ nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast asnjë komisioner, që do të vërë në provë forcën e ligjit për çdolloj arsye.
Ka sanksione shumë të ashpra ndaj atyre që përpiqen të cenojnë integritetin e votës së qytetarëve. Do të kemi gjithë vëmendjen për të evidentuar të gjitha këto raste dhe për të reaguar në përshtatje me ligjin. Kem marrë të gjithë masat që procesi i nxjerrjes së rezultatit, e para të përfundojë sa më shpejt, si dhe të përfundojë sa më shpejt.
Ka një gjë që dua ta sjell në vëmendje. Me dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor është sanksionuar e drejta e çdo subjekti, që të kërkojë hapjen e kutive. Ata që do të jenë përgjegjës për këtë ka penalitet shumë të rënda, 1-7 vite burg. Do ta theksoj këtë për t’i hequr çdokujt interesin dhe dëshirën që gjatë procesin të nxjerrjes së rezultatit të demonstrojë në tabelën e rezultatit një rezultat të ndryshëm. Pasi vetë KQZ do t’i hapë ato fletë dhe do të bëjë rivlerësim të tyre”, tha Celibashi.