Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u pyet ditën e sotme lidhur me retorikën fyese të përdorur nga kryeministri Rama gjatë fushatës. Ai nuk pranoi ta komentonte duke thënë se nuk është përgjegjësi e KQZ-së sesi e ndërtojnë ata retorikën politike, por kishte një apel për liderët politikë.
“Na duhet ta pranojmë që ata mendojnë se i dinë të gjitha dhe i bëjnë shumë mirë” – tha Celibashi.
A ka një qëndrim KQZ për retorikën fyese që është përdorur nga Rama gjate fushatës. Ndërkohë në rrugët e Tiranës ka ende postera, çfarë do të bëhet me këto materiale?
Celibashi: Çështja e përmbajtjes së materialeve propagandistike nuk është aq e lidhur me fushën e përgjegjësisë në kompetencën e KQZ. Ajo çfarë është në domenin tonë të kompetencës është vendosja dhe vendndodhja e këtyre posterave.
Tani sesi e ndërtojnë retorikën liderët politike, është një çështje e tyre dhe shkon në vlerësimin tim tej përgjegjësisë së KQZ. E vetmja gjë që mund të themi është që të bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të liderëve politike në pasqyrimin e programit të tyre. Por na duhet ta pranojmë që ata mendojnë se i dinë të gjitha dhe i bëjnë shumë mirë.