Celine Dion ka anuluar të gjitha shfaqjet e saj të mbetura live, duke u thënë fansave se nuk është mjaft e fortë për të bërë turne pasi u diagnostikua me një çrregullim të rrallë neurologjik.
Këngëtarja zbuloi vitin e kaluar se vuante nga ‘Sindroma Stiff-Person’ (SPS), e cila po ndikonte në këndimin e saj. Dion tani ka anuluar të gjitha shfaqjet që kishte planifikuar për vitet 2023 dhe 2024.
Në një deklaratë të postuar në Twitter, 55-vjeçarja u kërkoi ndjesë fansave për anulimin e koncerteve.
“Më vjen shumë keq që ju zhgënjej të gjithëve edhe një herë. Edhe pse më thyen zemrën, është më mirë që të anulojmë gjithçka derisa të jem vërtet gati të rikthehem në skenë”- shkruan ajo.
Në dhjetor 2022, këngëtarja franceze-kanadeze postoi një video emocionuese në Instagram për të thënë se ajo ishte diagnostikuar me SPS dhe nuk do të ishte gati të fillonte një turne evropian në shkurt siç ishte planifikuar.
Ajo tha se çrregullimi po shkaktonte spazma muskulore dhe nuk e lejonte të përdorte kordat vokale për të kënduar ashtu siç di ajo.
Turneu Botëror Courage filloi në vitin 2019 dhe Dion përfundoi 52 shfaqje përpara se gjithçka të mbyllej si pasojë e pandemisë Covid-19.
Ajo më vonë anuloi takimet në Amerikën e Veriut për shkak të problemeve shëndetësore dhe vonoi pjesën evropiane të turneut. Të premten, shfaqjet evropiane të vonuara u anuluan krejtësisht, duke përfshirë datat në Londër, Dublin, Paris, Berlin, Amsterdam, Stokholm dhe Zyrih.