Çelsi e ka seriozisht për sulmuesin e Barcelonës, Pierr-Emerik Obamejang. Siç bën me dije “Revelo”, në klubin e Barcelonës ka mbërritur oferta e parë formale nga klubi londinez. Klubi i Çelsit ka vendosur të ofrojë 24 milionë euro për sulmuesin nga Gaboni, që është ndarë 19 milionë euro pagesë bazë dhe 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh në varësi të rezultateve dhe paraqitjes së tij.
“Revelo” ka shkuar dhe më tej në lajmin e publikuar, duke nënvizuar se nuk bëhet thjesht për një ofertë, por Çelsi besohet të ketë arritur marrëveshjen me sulmuesin e Barçës dhe tani është në pritje të përgjigjes së vetë klubit katalanas për ofertën e bërë. Për të joshur Obamejangun, Çelsi i ka premtuar atij dyfishimin e pagës.
Por mediat spanjolle nga ana tjetër nuk kanë kursyer dhe shakatë, teksa kanë publikuar një foto të një tatuazhi të Aubas me numrin 14 tek Arsenali dhe duke shtuar pyetjen: Çfarë do të bëjë Obamejangu me këtë tatuazh?