Me mijëra shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore në 5 vitet e fundit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se, gjatë viteve 2016-2020, u shënuan 1112 viktima nëpër rrugët e vendit, ndërsa numri i të plagosurve përllogaritet në mbi 10 mijë persona.
Kreu i Policisë Rrugore të Tiranës, Altin Qato, thotë se, shkaqet kryesore të aksidenteve mbeten alkooli, parakalimet e gabuara dhe përdorimi i celularit.
“Qëllimi është sensibilizimi i qytetarëve dhe përdoruesve të rrugës që të jenë të kujdesshëm mos të kalojnë normat e shpejtësisë, mos të bëjnë parakalime të gabuara, të respektojmë këmbësorët jo vetëm në vijat e bardhe por edhe kudo ku hasin në rrugë, të vënë rripin e sigurimit dhe mos të përdorin celularin”,- deklaroi Qato.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, rrugët me problematike ne vend mbeten ato interurbane kryesore dhe interurbane dytësore, për shkak të numrit të lartë të përdoruesve të rrugës, dhe sinjalestikës së munguar.
Në ditën ndërkombëtare të viktimave të aksidenteve u zhvilluan aktivitete sensibilizuese në Tiranë dhe rrethe.
Sipas drejtorit Altin Qato, shifrat e aksidenteve dhe të viktimave në të gjithë botën janë alarmante.
“Nuk është vetëm policia për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por janë vetëm qytetarët. Nëse u referohem statistikave në botë, shifrat janë alarmante, janë kambanë alarmi për çdo përdorues rruge. Po t’i referohem statistikave të vendit tonë, kemi një ulje vit pas viti, por nuk jemi ende ku duhet, pasi ne duam që të kemi në minimum ose fare aksidente rrugore”,- tha Qato.
Më tej u bëri thirrje të gjithë shoferëve dhe qytetarëve që të respektojnë rregullat, siç është shpejtësia, rripi i sigurimit, përdorimi i alkoolit etj. “Zbato rregullat, ke një jetë të shpëtuar”,- tha ai.
Sipas Qatos, një fenom mjaftë problematik në Shqipëri, është edhe përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të makinës.
“Edhe nëse një këmbësor gabon përdoruesi i mjetit duhet të jetë shumë i kujdesshëm për të shpëtuar një jetë. Vëmendje kryesore do t’i kushtohet rritjes së sigurisë ku qarkullojnë fëmijë, pranë shkollave kopshteve.
Duhet të jemi të kujdesshëm me shpejtësinë. Policia ka shtuar flotën e saj të mjeteve, me qëllim për të evidentuar çdo shkelje.
Policia ka një databazë, por nuk menduam se ishte sot vendi për të bërë një përshkrim të statistikave. Po ti referohemi statistikave kemi një ulje të vazhdueshme vit pasi viti, përsëri nuk jemi aty ku dëshirojmë.
Po të bëjmë një krahasim me vitin 2019, kemi një ulje prej 17 të vdekur më pak. Ka vazhdimisht ulje përveç vitit 2020. Ka një shtim të përdoruesve të mjeteve, është shtuar përdorimi i mjeteve, i rrugës, jemi në proporcion jo të drejtë sepse shtohen përdoruesit e mjeteve dhe shoferëve.
Drejtues që përdorin alkool është shumë e rëndë, parakalime të gabuar, një fenomen është përdorimi i celularëve në përdorim të makinës”,- shtoi Qato.
/Priza.al/