Censi/ Rekomandimet e Kuvendit: Të zbatohet në kohë dhe të punohet për rritjen e pjesëmarrjes

Kuvendi ka kërkuar që Instituti i Statistikave të fokusohet gjerësisht këtë vit në Censin e Popullsisë dhe Banesave që është “sipërmarrja” më e madhe e këtij viti për këtë institucion duke kryer procesin në kohë por edhe duke e promovuar siç duhet për të rritur pjesëmarrjen.

Në projektrezolutën e hartuar për INSTAT specifikohet që institucioni “të zbatojë me cilësi dhe në kohë Censin e Popullsisë dhe Banesave, duke u bazuar në përcaktimin e qartë të vizionit dhe objektivave strategjikë për kryerjen e Censit, si dhe duke e konsideruar atë instrument kryesor për procesin e negociatave.

T’i kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit për promovimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave, i cili është thelbësor për të siguruar ndërgjegjësimin statistikor, rritjen e besueshmërisë dhe pjesëmarrjen e popullatës në këtë proces”

Vitin e ardhshëm INSTAT pritet të zhvillojë Censin e Bujqësisë ku dhe për këtë të fundit është kërkuar të finalizohen dokumentet të cilat do të shërbejnë për të planifikuar elementët më të rëndësishëm të projektit, duke filluar me përgatitjen e kuadrit rregullator, vlerësimin e burimeve dhe aktorëve që do të përfshihen, buxhetin, si dhe përcaktimin e metodologjisë që do të ndiqet për Cens-in e Bujqësisë 2024. Të paraqitet sa më parë në Kuvend për miratim, projektligji për Censin e Bujqësisë.

Ndër të tjera nënvizohet se INSTAT duhet të vazhdojë modernizimin e metodave të mbledhjes së të dhënave dhe prodhimit statistikor të Sistemit Kombëtar Statistikor, si mekanizimi kryesor për prodhimin e statistikave në përputhje me standardet e kërkuara nga Eurostat dhe në përputhje me teknikat me moderne ndërkombëtare.

Po kështu të vijojë përpjekjet për zgjerimin e Sistemit Kombëtar Statistikor me shtimin e institucioneve prodhuese dhe furnizuese me të dhëna, rritjen e gamës së produkteve statistikore zyrtare të prodhuara dhe rritjen e cilësisë statistikore.

Sipas INSTAT të bëjë përpjekje për uljen e qarkullimit të punonjësve dhe të sigurojë që niveli i plotësimit me punonjës, është i mjaftueshëm për përmbushjen e nevojave të prodhimit statistikor. Gjithashtu punonjësit të jenë të mirë trajnuar lidhur me zhvillimet e fundit në fushën e statistikave.

Në pikën shtatë të projektrezolutës INSTAT-it i rekomandohet të rrisë prodhimin dhe transmetimin e të dhënave makroekonomike në kohë dhe me cilësi të lartë në Eurostat për të arritur përputhje të plotë me standardet e ESA 2010 dhe të punojë për shtimin e treguesve të rëndësishëm të cilët ende nuk i transmetohen Eurostat-it.

Gjithashtu të intensifikojë bashkëpunimin statistikor kombëtar dhe ndërkombëtar për të përshtatur metodologjitë dhe praktikat më të mira në rritjen e rolit të tij në qeverisjen e të dhënave publike si pjesë e ekosistemit të të dhënave, që shërbejnë për prodhimin e statistikave zyrtare, pa cenuar besimin në statistika dhe konfidencialitetin./ Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *