Pak ditë na ndajnë nga ceremonia e kurorëzimit të Mbretit Charles III, pasues i fronit mbretëror të Anglisë. Deri më tani ceremonia është komentuar shumë për luksin, numrin modest të të ftuarve nga familjet mbretërore dhe për pjesëmarrjen e djalit të Charles, Princit Harry i cili nuk do të shoqërohet nga dukesha e tij.
Ceremonia fetare e kurorëzimit të Mbretit Charles dhe gruas së tij Camilla, do të mbahet me 6 maj në Westminster Abbey të Londrës dhe do të zgjasë vetëm një orë.
“Ka filluar të ndihet atmosfera e ceremonisë së kurorëzimit, ka kudo flamuj ne rrugë, paketimet e produkteve ushqimore kanë të ambalazhuar njoftimin e mbajtjes së ceremonisë. Anglezët janë të kënaqur sepse mbreti u ka dhuruar të gjithëve një ditë pushim, të hënën me 8 maj, pasi do të fillojnë festimet e kurorëzimit.” – tha Adela Kalari nga Bermingham.
E pyetur se si po komentohet nga Anglezët luksi dhe shumat marramendëse që do të harxhohen për ceremoninë, veçanërisht për karrocën mbretërore me të cilën do të udhëtojnë mbreti dhe dukesha, ajo tha se ka polemika dhe komente të shumta mbi këtë çështje.
Gjithashtu ajo tha se numri i të ftuarve është një numër relativisht i vogël në krahasim me ceremonitë e mëparshme. 2000 veta do të jenë të ftuar në ceremoni./ReportTv