114 Oficerë të Sigurisë nëpër shkolla janë certifikuar sot nga Akademia e Sigurisë pas përfundimit të trajnimit përkatës në këtë institucion. Dy ministrat, Bledi Çuçi dhe Evis Kushi morën pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast. Ministri i Brendshëm tha se shtimi i oficerëve të sigurisë nëpër shkollat publike të vendit është pjesë e vizionit tonë për ta shndërruar Policinë e Shtetit në një bërthamë komunitare.
“Ne besojmë se çështjet e sigurisë në një vend nuk janë vetëm probleme të organeve të policisë, por janë probleme të të gjithë shoqërisë. Në këtë kuadër një nga nismat tona ka qenë përfshirja e punonjësve të sigurisë nëpër shkollat tona edhe si një nga veprimet konkrete për të realizuar atë që ne themi “policimi në komunitet” – u shpreh Çuçi.
Me certifikimin e sotëm numri total i oficerëve të sigurisë në shkollat e vendit shkon në 220. Sipas Çuçit vendosja e strukturave të policisë pranë insitucioneve arsimore lufton fenomenet si shitja e lëndëve narkotike, konfliktet apo bulizmin.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se certifikimi i këtyre të rinjve të tjerë sot është një moment krenarie.
“Deri para 3 vitesh ne i quanim një kontribut të shtuar apo një vlerë e shtuar në institucionet tona arsimore. Ndërsa sot ne i quajmë një domosdoshmëri, për vetë kontributin dhe rolin e rëndësishëm që kanë për të garantuar sigurinë dhe një mjedis sa më miqësor në institucionet tona arsimore” – u shpreh ministrja Kushi.
Ministrja tregoi se në nisje ky ishte një projekt pilot, por pasi u pa rëndësia e madhe që kishte kontributi i oficerëve të sigurisë pranë shkollave, u vendos të rritej numri i tyre.