Në Gjykatën e Apelit ditën e sotme po zhvillohet seanca për deputetin Ervin Salianji, lidhur me ‘çështjen Babale’. I pranishëm në sallë është vetë deputeti, i cili ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares relatore Etlira Petri.
Salianji e arsyeton kërkesën me faktin se bashkëshorti i saj Sokol Sadushi ka gjykuar përjashtimin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë. Arsyeja tjetër ka të bëjë me detyrën e Edlira Petrit, si gjyqtare mediash pasi ajo ka reaguar në lidhje me konfliktin e PD-së. Gjithashtu sipas Salianjit data e gjyqit është caktuar përpara se të rishortoheshin dosjet dhe kjo është bërë me qëllim mosrishortimi.
Në mbështetje të deputetit do të jetë edhe Flamur Noka dhe Luan Baçi.
Salianji u shpall fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë. Në Apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.