Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar lajmin se Agon Channel ka fituar gjyqin në Arbitrazh me shtetin shqiptar. Pas publikimit të lajmit në disa media të vendit, Rama në rrjetet e tij sociale shkruan se një njoftim i tillë përdoret para çdo fushate elektorale. Ndërsa ka lënë të kuptohet se lajmi është nxjerrë nga opozita.
“Para çdo fushate del që Beketi i dënuar me 16 vjet burg për mashtrim i mori Shqipërisë 100 mln €! Pastaj shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!,”-shkruan Edi Rama.
Ç’lajm u publikua sot?
U raportua se Agon Channel ka fituar përfundimisht përballjen me qeverinë shqiptare për mbylljen arbitrare të televizionit. Sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, qeveria shqiptare i detyrohet tashmë dhe duhet t’i paguajë Becchettit 108 milionë dollarë.
Lajmi se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015, ka dalë që në vitin 2021, por edhe atëherë është mohuar nga Rama. Sipas tij, gjyqi vazhdon por nuk bën dot publike të dhëna pasi mund të përdoren kundër në Gjykatë.
Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim, pasi prokuroria shqiptare sekuestroi pronat e biznesmenit italian, përkatësisht televizionin Agon Channel, kryeministri e pati akuzuar publikisht Becchettin për pastrim parash. Ndërkohë që në Shqipëri, biznesmeni italian Francesco Becchetti është shpallur fajtor për katër akuza nga Gjykata e Tiranës dhe është dënuar me 17 vite burg. Ai u shpall i fajshëm për: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.