Çështja ‘Becchetti’/ Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor

 

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “Becchetti”.

Në vendimin e argumentuar nga gjykata thuhet se nuk plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e këtij komisioni.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata Kushtetuese, sot në datën 27.12.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e katërta e deputetëve), anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me objekt: “ Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.”.

Gjykata vlerësoi se:

– Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi vendimi nr. 9, datë 28.03.2022 i kësaj Gjykate nuk përbën gjë të gjykuar, për rrjedhojë as pengesë në aspektin kushtetues.

– Kërkuesi plotëson kriteret e legjitimimit, pasi kërkesa është paraqitur nga i njëjti subjekt që ka kërkuar edhe ngritjen e komisionit hetimor.

– Në lidhje me themelin e pretendimeve, Gjykata nuk arriti në përfundimin se në rastin konkret plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77, 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *