Kryeministri Edi Rama është në Pragë pasi ka marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian.
Gjatë kësaj vizite, Rama është takuar dhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis ku fokus ka qenë dhe çështja e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare.
I pyetur për këtë të fundit, Rama tha se ky proces kërkon kohën e vet dhe se duhen respektuar të gjitha procedurat.
“Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve. Në tryezën e rrumbullakët ku unë kam qenë së bashku me kryeministrin e Holandës fokusi kryesor ka qenë pikërisht kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar vendet që kanë filluar negociatat për anëtarësim do të mund të ndihmohen drejtpërdrejtë. Ndërkohë që unë kam insistuar që këtu nuk duhet të ketë diferenca dhe duhet të përfshihen të gjitha vendet, të 6 vendet. Besoj që projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe të konsolidohet më tutje. Në një situatë si kjo Evropa është në pikën ku për ta parashikuar të ardhmen duhet ta krijojë”, tha ai.