Bashkimi Europian duket se ka shprehur aprovimin e tij që lugina e Vjosës të shndërrohet në një “Park Kombëtar”, duke shkuar në linjën e komunitetit vendas dhe ekspertëve të mjedisit.
Këto mendime i ka dhënë në emër të BE-së, ambasadori Luggi Soreca, i cili ka shprehur sërish qëndrimin pro krijimit të “Parkut Kombëtar të Vjosës”.
Përmes një reagimi në Twitter, teksa ka shpërndarë qëndrimin e BE-së, Soreca bën thirrje që zëri i komuniteteve të ekspertëve të mjedisit dhe i qytetarëve të dëgjohet.
“Ne mbështesim iniciativën për krijimin e Parkut Kombëtar Vjosa. Bashkimi Europian vazhdon ta ndjekë këtë çështje nga afër së bashku me Ambasadat e BE, në konsultim me autoritetet e Shqipërisë. Është thelbësore që zëri i komuniteteve lokale dhe ekspertëve të mjedisit të dëgjohet”,- shkruan Soreca në reagimin e tij.
Prej vitesh, lumi Vjosa, rrezikohet nga ambicie për të ndërtuar HEC-e në shtratin e tij. Por kohët e fundit një tjetër rrezik po i kanoset këtij habitati natyror.
Kompania “Shell” është duke bërë shpime sizmike në luginën e Vjosës dhe në grykën e Këlcyrës, për të kërkuar vendburime nafte dhe gazi.
Këtë gjë e ka denoncuar disa ditë më parë me foto dhe video edhe “Priza.al”, duke dokumentuar punën e madhe që po bëhet aty, gjë e cila ka ngjallur rebelim dhe protestë të banorëve vendas.
Falë këmbënguljes së aktivistëve, organizatave që mbrojnë natyrën dhe medias, ky projekt është ndaluar, por nuk mungojnë tentativat e herëpashershme për ta kthyer Vjosën në një “pasuri ekonomike” dhe jo natyrore.
Në mbështetje të kauzës është bashkuar edhe aktori i njohur hollivudian, Leonardo di Caprio.
Kërkesa kryesore për mbrojtjen e Vjosës është kthimi i zonës në një Park Kombëtar, që do ti jepte status të veçantë nga shteti dhe lugina bashkë me Lumin nuk do të prekeshin.
/Priza.al/