Çështja ‘Gërdeci’, i hapet rruga rinisjes së hetimeve për Fatmir Mediun

Gjykata e Lartë ka dërguar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen arkivore të Gërdecit.

Dorëzimi i dosjes vjen pas vendimit të Apelit të GJKKO për të rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke i hapur rrugë edhe rigjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

SPAK pritet të kërkojë në GJKKO gjykimin e ish-ministrit dhe po ashtu edhe veprime hetimore shtesë. Hetimet për tragjedinë e 26 te vdekurve e qindra të plagosurve e një dëmi miliarda lekë, janë kryer nga 2008-2009, asokohe nga prokurori e Përgjithshme.

Ndërkohë Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku shpërthimi në një pikë demontimi të municioneve në Gërdec (Vorë, Tiranë) u mori jetën 26 personave ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

Çështja ndaj Mediut u mbyll një vit më vonë, më 14 shtator 2009, kur ai u ri-zgjodh deputet. Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan mbylljen e çështjes duke argumentuar se prokuroria duhet t’i kërkonte sërish autorizim Kuvendit për heqjen e imunitetit.

Por, kjo çështje është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *